Presidenti Meta kthen në Kuvend ligjin për Rezervat e Shtetit

schedule21:59 - 15 Korrik, 2019

schedule 21:59 - 15 Korrik, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekreton kthimin e një tjetër ligji për rishqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë. Bëhet fjalë për ligjin “Për rezervat materiale të shtetit”. Sipas Presidentit, ndryshimi i këtij ligji, miratuar më 20 qershor të këtij viti në Parlament, synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, duke e zëvendësuar miratimin e lëvrimit të tyre nga me vendim të Këshillit të Ministrave, më një akt individual, që është “Urdhri i Kryeministrit”.

Nga shqyrtimi i ligjit “për rezervat materiale të shtetit”,  argumenton Presidenti, konstatohet se ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerë që përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit.

“Bazuar mbi këtë arsyetim, Presidenti i Republikës, vlerëson se ligji duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij për të vlerësuar objektivisht nëse miratimi i këtij ndryshimi është vërtet i nevojshëm apo jo”, argumentohet në relacionin e dekretit.

Sipas Metës, ky ligj i miratuar që prej vitit 2008 nuk është ndryshuar për një periudhë 11 vjeçare dhe implementimi i tij në praktikë, nuk rezulton të ketë sjell ndonjë problematikë të theksuar, e cila të jetë bërë pengesë në veprimtarinë administrative të strukturave shtetërore të ngarkuara për zbatimin e tij.

Presidenti sjell në vëmendje se rezervat materiale të shtetit përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, në raste katastrofash natyrore, gjendje lufte dhe situate të tjera të ngjashme problemtike. Pikërisht për këtë arsye, argumenton ai,  në ligjin aktual parashikohet se “Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave”

Cdo aludim se lëvrimi i mallrave të rezervave të shtetit, mund të pengohet nga vonesa e vendimarrjes së Këshillit të Ministrave, thotë presidenti, nuk qëndron dhe është një argument fiktiv për të legjitimuar ndërhyrjen që po tentohet të realizohet në ligjin ekzistues. “Ndërmarrja e kësaj iniciative ligjore është e pajustifikuar ligjërisht dhe për më tepër kjo mënyrë e re e lëvrimit të mallrave pjesë e rezervës shtetërore nëpërmjet Urdhërit të Kryeministrit, nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik në procedurat e administrimit dhe lëvrimit të mallrave me vlerëqë përbëjnë grupin kryesor të mallrave të rezervave të shtetit”, vijon presidenti..

Në kategorinë e rezervave shtetërore hyjnë prodhimet e arit, argjendit, platini etj.  Mjete të rënda për çdo lloj transporti, Gruri dhe  Mallra të ndryshme tepër vëllimorë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!