Qeveria vijon mbështetjen financiare ndaj prodhuesve të vegjël me qëllim zhvillimin e ekonomisë lokale. Kryeministri Edi Rama vizitoi një fermë të përpunimit të qumështit në Boboshticë ndërsa vuri theksin tek formalizimi i tregut.
Kjo kompani përpunuese në Korçë grumbullon qumësht nga rreth 400 fermerë të zonës. Produktet e saj zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut vendas.
Synimi është eksporti në tregjet rajonale. Qeveria e ka mbështetur financiarisht për të modernizuar teknologjinë. Kryeministri Edi Rama e vizitoi bashkë me drejtoreshën e Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe Bujqësor.
“AZHBR ka investuar me një shumë prej 15 milionë lekësh në skemën mbështetëse. Jemi përpjekur që me përzgjedhjen e projekteve fokus t’iu japim atyre projekteve që shtojnë standardin e cilësisë për produktet finale te konsumatori”.
Kryeministri e vuri theksin tek formalizimit i tregut të shitjes se qumështit dhe nënprodukteve të tij me qëllim garantimin e cilësisë për konsumatorin.
“Është e rëndësishme edhe për t’i lidhur me pikat e përpunimit, që të mos i shesin në rrugë”.
Me programin mbështetës te zhvillimit rural qe shkon kryesisht për prodhuesit e vegjël qeveria synon evidentimin e produkteve tradicionale dhe konsolidimin e ekonomive lokale.
Në këtë kontekst vjen dhe projekti i 100 fshatrave ku është përfshirë dhe qendra e Boboshticës e cila do të kthehet në tërheqje për turistët. Muzeu i Rakisë pritet t’i shtojë më tepër interesin vizitorëve të këtij fshati i njohur për pemët shekullore të manit.
“Ideja është të krijojmë ato funksione që i japin jetë gjithë fshatit, rikualifikohet e gjithë zona përreth dhe jepet një shembull i mirë se si mund të përdoren të gjithë këto shtëpi që janë deri diku një pjesë të abandonuara, ose thjesht për përdorim familjar në minibujtina edhe në shërbim të muzeut. Përveç muzeut, ideja është që të unifikohen disi edhe fasadat. I jep një funksion edhe turistik, edhe një atraksion që s’është përdorur më parë”.
Mbështetja për agroturizmin dhe Programi i 100 Fshatrave kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët. Kryeministri Edi Rama ishte në një nga bujtinat më të reja të ndërtuara me mbështetjen e qeverisë në Boboshticë të Korçës.
/ABC News Albania 24/7