Konfirmohet rasti i parë i nënvariantit të ri të koronavirusit në Mal të Zi

schedule22:02 - 19 Janar, 2023

schedule 22:02 - 19 Janar, 2023

Është konfirmuar të enjten në Mal të Zi rasti i parë i infektimit me variantin XBB.1.5 të koronavirusit, ka njoftuar Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi.

“XBB.1.5. është një nënvariant i ri omikron i krijuar nga kombinimi i dy nënvarianteve të tjerë të këtij lloji. Është regjistruar për herë të parë në tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku aktualisht po qarkullon. Vendet evropiane që kanë raportuar deri tani raste të infektimit me nënvariantin XBB.1.5 janë Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Franca, Austria, Gjermania, Italia, Spanja, Suedia, Islanda, Belgjika, Çekia, Portugalia”, thuhet në njoftimin e Institutit të Shëndetit Publik.

Kështu edhe Mali i Zi i është bashkuar listës së vendeve ku është regjistruar ky mutacion.

Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të marrin dozën e tyre përforcuese të vaksinës bivalente në intervalet e rekomanduara sepse “ata që janë vaksinuar siç duhet kanë një pasqyrë klinike më të butë dhe një rezultat më të favorshëm të sëmundjes”.

Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik, “numri i përgjithshëm i rasteve aktualisht aktive me COVID-19 në Mal të Zi është 504”.

“Që nga fillimi i ngjarjeve epidemike (mars 2020), numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me virusin e ri korona në Mal të Zi është 285,773” , thuhet në njoftimin e Institutit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga infeksioni COVID-19 në Mal të Zi që nga fillimi i pandemisë është 2794./VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!