Një lloj si PS në vitin 2009, as PD tani nuk do të marrë nga KQZ listën e pjesëmarrësve në votimet e 30 qershorit. Komisioni argumenton se ky dokument elektoral mban të dhëna personale, e nuk mund të jepet, ndërsa PD do të marrë gjithë informacionet e tjera që janë jashtë kutisë së materialeve zgjedhore, sic janë procesverbalet apo pamjet filmike gjatë numërimeve.
Partia Demokratike nuk do të mundë të verifikojë nëse kutitë e votimit u mbushën apo jo nga komisionerët e Partisë Socialiste.
Kjo pasi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos i japë opozitës listën e pjesëmarrësve në votime, dokument që është brenda kutisë së materialeve zgjedhore.
Komisionerët qendrorë të PS, përdorin sot të njëjtin argument që PD përdori në vitin 2009, kur refuzoi Ramën në fushatën e tij “hap kutitë ose largohu”.
Ndërkohë, KQZ është duke i përgatitur Partisë Demokratike të gjitha materialet e tjera që ka kërkuar, që janë jashtë kutive, si tabelat e rezultateve apo pamjet filmike të të gjitha grupeve të numërimit./ABC News Albania 24/7