Kancelarja Merkel e ka kaluar e ulur ceremoninë e radhës për të pritur një kryetar shteti, një ditë pasi përjetoi sërish dridhje trupore. Të enjten ajo u shfaq e qeshur përkrah kryeministres daneze, por ndërkohë u përball edhe me një presion në rritje mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Kancelarja gjermane Angela Merkel qëndroi ulur të enjten teksa ndoqi një ceremoni publike të mbajtur në nder të kryeministres daneze Mete Frederiksen, që vizitoi Berlinin.
Merkel ndoqi nga karrigia e saj ceremoninë e shoqëruar nga nderime ushtarake, një ditë pasi pësoi sërish dridhje trupore teksa priste kryeministrin finlandez Anti Rine.
Për fat të mirë, këtë herë Merkel nuk shfaqi shenja shqetësuese dhe dhuroi disa herë buzëqeshje përpara kamerave. Megjithatë, kancelarja u përball me një presion në rritje për informacione mbi gjendjen e saj shëndetësore.
“Jam e ndërgjegjshme për përgjegjësinë që kam si zyrtare dhe sa i takon shëndetit tim mund të them se veproj në mënyrë të përshtatshme”, tha Merkel në një konferencë shtypi pas takimit me Frederiksen.
Gjithashtu, shtoi ajo, si person ka interesin më të madh për të patur një gjendje shëndetësore të mirë, “ndaj dhe kujdesem për këtë”, u shpreh Merkel. Kancelarja, që mbush 65 vjeç javën e ardhshme, e kaloi me një buzëqeshje batutën e saj se çdo ditëlindje ndihet më e moshuar.
Merkel nuk ka ndonjë precedent serioz sa i takon gjendjes shëndetësore, por zyra e saj nuk ka dhënë asnjë sqarim për rastet kur ajo është dridhur dhe vetë kancelarja nuk ka folur asnjëherë për këshillat apo trajtimin mjekësor që ka marrë./ABC News Albania 24/7