Rama: Planet për Emergjencat Civile do të jenë të detyrueshme

schedule11:01 - 10 Korrik, 2019

schedule 11:01 - 10 Korrik, 2019

Planet për emergjencat civile do të jenë të deytrueshme për të gjitha institucionet shtetërore dhe subjektet private. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë  prezantimit të projekt- ligjit për mbrojtjen civile në të cilin parashikohen edhe sanksione për këdo që nuk e zbaton.

Menaxhimi i fatkeqësive natyrore nuk do të lihet më në dorë të rastësisë. Projektligji “Për mbrojtjen civile” do të zhbëjë një herë e mirë parimin që ka ndjekur qeverisja qendrore e vendore në të kaluarën.

 “Ku është ecur me parimin: Secili për vete Zoti për të gjithë” e ka dobësuar shumë kapacitetin natyral mbrojtës të gjithë strukturës së vendit tonë. Me këtë ligj ka arsye të jemi optimistë se kemi një shpërndarje të qartë të përgjegjësive, kemi një zinxhir të mirëpërcaktuar të roleve dhe kemi po ashtu edhe një bazë për përditshmërinë”.

Përditshmëria është edhe sfida e radhës për kryeministrin Rama. Baza e re ligjore do të detyrojë të gjitha institucionet shtetërore e subjektet private  të hartojnë planet për emergjencat civile.

 “Tanimë do të jenë të detyrueshme edhe për institucionet shtetërore dhe subjektet private në arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale, turizëm, mjedis.

Kjo do të lidhet me sanksione të qarta për çdo institucion apo subjekt privat, sikurse përcaktohet në ligj. Nuk mundet dot t’i hapim gropën vetes dhe pastaj kur vjen furtuna t’i kërkojmë shtetit të na nxjerrë nga gropa. Nuk mundet dot që njësitë e qeverisjes vendore të jenë të pavëmendshme dhe të papërgjegjshme njësoj si një pronar i një lokali dasmash”.

Sipas kryeministrit Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të përgjigjet në radhë të parë për zvogëlimin e riskut dhe pastaj për kapacitetet reaguese.

“Do të ketë një kapacitet më të madh se deri sot, administrativ, teknik dhe financiar. Do të ketë përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera dhe në këtë mënyrë do të jetë organizmi që na duhet për një mision kaq të rëndësishëm e jetik kombëtar, por edhe ndërkombëtar, duke pasur parasysh gjithë ndërveprimin e domosdoshëm me strukturat homologe”.

Me ligjin e ri qeveria pretendon të përafrojë legjislacionin dhe standardet e mekanizmit të mbrojtjes civile me Bashkimin Evropian.

 

/abcnews.al