Investimet e huaja në sektorët e shërbimeve profesionale u rritën më tej gjatë vitit 2022

schedule12:04 - 10 Janar, 2023

schedule 12:04 - 10 Janar, 2023

Investimet e huaja në sektorin e aktiviteteve profesionale dhe teknike vijuan rritjen gjatë vitit 2022.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja në këtë sektor në fund të 9-mujorit 2022 arriti në vlerën rekord prej 635 milionë eurosh.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, stoku i investimeve në këto aktivitete është rritur me 12.4%.

Investimet në këto aktivitete përbënin afërsisht 6% të stokut total të investimeve të huaja direkte në fund të shtatorit të vitit të kaluar.

Aktivitetet e mësipërme janë të lidhura kryesisht me shërbimet për bizneset, sidomos për ato jashtë vendit.

Fillimisht, investimet e huaja në këtë sektor ishin të lidhura me shërbimet call center, që konsistonin në zhvendosjen në Shqipëri të shërbimit për klientin të kompanive të huaja ose në zhvillimin e fushatave të marketingut për llogari të këtyre kompanive.

Gradualisht shërbimet profesionale dhe teknike për bizneset e huaja kanë prekur një spektër më të gjerë aktivitetesh. Në dekadën e fundit, një lulëzim kanë njohur shërbimet e marketingut për investime në bursa online apo në produkte të tjera financiare.

Por, këto shërbime në një pjesë të madhe të rasteve kanë përfshirë aktivitet financiar të palicencuar nga autoritetet përkatëse, madje shpesh edhe mashtrime të mirëfillta në dëm të shtetasve të huaj.

Vetën vitin e kaluar, institucionet ligjzbatuese shqiptare kanë shtuar përpjekjet për ndalimin e këtyre aktiviteteve dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë, por kjo ka ardhur sidomos prej sinjalizimeve dhe hetimeve të ardhura nga institucionet homologe në shtete të tjera.

Megjithatë, investimet në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike në vitet e fundit po orientohen gjithnjë e më shumë edhe në shërbime më të sofistikuara, të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Kjo tendencë lidhet me koston më të ulët të forcës së punës në Shqipëri, por edhe me një nevojë në rritje për profesionistë të këtyre profileve në ekonomitë më të zhvilluara të Europës.

Shërbimet e llojit IT outsourcing për kompanitë e huaja vlerësohet se kanë shënuar një rritje të ndjeshme në vitet e fundit dhe kanë fituar një peshë në rritje në investimet e huaja në këtë sektor dhe në tërësi në rritjen e eksportit të shërbimeve të ekonomisë shqiptare.

Të ardhurat bruto nga zëri “shërbime të tjera” në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2022 arritën vlerën e 622 milionë eurove, në rritje me 15.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Eksporti i shërbimeve po merr një rol gjithnjë e më të madh në ngushtimin e deficitit të madh tregtar në mallra të ekonomisë shqiptare./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë