Një vit nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, sfida për dy partitë politike

schedule22:01 - 2 Janar, 2023

schedule 22:01 - 2 Janar, 2023

Të dy partitë politike në Shtetet e Bashkuara po e nisin vitin e ri duke u përballur me çështje kritike të lidhura me elektoratin e tyre dhe politikat që duan të ndjekin ndërsa afrohen zgjedhjet e ardhshme.

Sfidat me të cilat përballen republikanët janë më urgjente. Ata kishin shpresuar se do ta fillonin vitin 2023 duke kontrolluar me një shumicë të sigurt të paktën një nga dy dhomat e Kongresit. Përkundrazi, rezultati i pakënaqshëm elektoral i zgjedhjeve të mesit të mandatit solli vetëm një epërsi modeste për ta në Dhomën e Përfaqësuesve, që pritet të ekspozojë ndarjet e ashpra brenda partisë këtë javë ndërsa ligjvënësi i Kalifornisë Kevin Mc Marthy synon të bëhet kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve.

Deri në fund të këtij muaji, Komiteti Kombëtar Republikan duhet t’i japë zgjidhje një beteje brenda partisë se kush do e marrë drejtimin e tij.

Në qendër të pothuajse të gjitha sfidave është ish-presidenti Donald Trump,që transformoi Partinë Republikanë më shumë se 7 vjet më parë dhe po lufton të forcojë pushtetin e tij mbi republikanët në kongres, në Komitetin Kombëtar Republikan dhe tek votuesit republikanë me afrimin e garës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel pranoi gjatë një intervistë se sfida më e madhe për republikanët do të jetë brenda partisë pasi duhet të përballen me ndikimin e fortë të zotit Trump.

“Ka aq shumë çështje të rëndësishme sa nuk mund t’i lejojmë vetes që të jemi të ndarë për garën e 2024”, tha zonja McDaniel duke premtuar se “Komiteti Kombëtar Republikan do të jetë i paanshëm në procesin për zgjedhjen e kandidatit për president. Nëse jemi të ndarë, do të humbasim”.

Së paku deri tani demokratët duken më të bashkuar se rivalët republikanë. Por shumëçka varet nga Joe Biden dhe nëse ai do të vazhdojë të synojë që të kërkojë një mandat të dytë. Nëse ai heq dorë nga rikandidimi dhe njoftimi zyrtar për këtë behet pas disa muajsh, atëherë demokratët do të viheshin përballë një të ardhmeje të paqartë, ende pa kandidatë të mundshëm të spikatur.

Senatori i Vermontit, Bernie Sanders i cili nuk përjashtoi ambicien e tij presidenciale tha se demokratët po përballen me një moment kritik teksa po humbasin zgjedhës të rinj, afrikano-amerikanë, latinë dhe votues të shtresës punëtore.

“Më dhemb shumë, shumë të shoh se gjithnjë e më shumë njerëz të shtresës punëtore po votojnë për republikanët,” tha ai në një intervistë. “Politikisht, kjo është një fatkeqësi dhe demokratët duhet ta njohin këtë problem serioz dhe ta trajtojnë atë.”

Deri më tani, tek republikanët vetëm zoti Trump ka njoftuar kandidaturën e tij. Por deri në fund të marsit, pritet të ketë edhe kandidatë të tjerë, ndërsa pretendentë të profilit të lartë, si guvernatori i Floridas Ron Desantis, besojnë se mund të presin deri në fund të pranverës apo në fillim të verës për të bërë publike ambiciet e tyre.

Pak veta besojnë se do të jetë e lehtë të rrëzohet kandidatura e zotit Trump në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikanë. Ai ka nisur tashmë sulmet ndaj kundërshtarëve të mundshëm ndërsa ruan pozita të forta ndër votuesit më aktivë të partisë, që do të dominojnë garën paraprake të Partisë Republikane.

Megjithatë votuesit do të kenë edhe alternativa të tjera, si guvernatori DeSantis, ish zv-Presidenti Mike Pence, ish-sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe guvernatori në largim i Merilendit, Larry Hogan. Disa prej tyre kanë nisur të kërkojnë donancione.

Por para kandidimeve presidenciale, republikanët duhet të zgjidhin një betejë të gjatë të brendshme. Deri në fund të vitit, Komiteti Kombëtar Republikan duhet të vendosë nëse do të rizgjedhë zonjën McDaniel për një mandat të katërt 2-vjeçar.

Steven Law, një aleat kyç i udhëheqësit republikan të Senatit Mitch MCconnell, u zotua se do të luajë një rol më të fortë në betejën e ardhshme për senatin.

Teorikisht, senatorët republikanë kanë më shumë shanse në shtetet me prirje konservatore si Virxhinia Perëndimore, Montana dhe Ohajo ku demokratët kërkojnë të rizgjidhen në 2024. Megjithatë për të fituar, republikanët duhet të shmangin përsëritjen e gabimeve me “cilësinë e kandidatëve” që dëmtuan partinë në zgjedhjet e mes nëntorit pasi një sërë kandidatësh të mbështetur nga zoti Trump humbën gara kyçe për Senatin, në Arizona, Xhorxhia, Nevada, Nju Hemshajër dhe Pensilvani.

Nga ana tjetër edhe demokratët duhet të zgjidhin çështjet e tyre ndër të cilat natyrisht që më e ngutshmja është nëse zoti Biden do të kërkojë një mandat të dytë. Tashmë, ai është presidenti më i moshuar në historinë e SHBA-së. Anketimet tregojnë se një numër i konsiderueshëm votuesish i të dyja partive nuk duan që ai të kandidojë përsëri.

Presidenti demokrat, i cili kaloi fundjavën e vitit të ri me familjen në Ishujt Virgin të SHBA-së, ka thënë se synon të marrë një vendim përfundimtar gjatë festave.

Zoti Biden u tha gazetarëve një ditë pas zgjedhjeve të nëntorit se kishte ndërmend të kandidonte, por se ai do të “respektonte fatin”. Ndërkohë ndihmësit dhe aleatët e tij po bëjnë përgatitjet për nisjen e fushatës, ndonëse po shmangin hapat e tepruara që mund të shihen sikur po i paraprijnë procesit vendim-marrës të Presidentit.

Nisja zyrtare e fushatës nuk pritet të ndodhë deri në tremujorin e dytë të vitit 2023, duke i dhënë mundësi zotit Biden të përpiqet të qëndrojë mbi konfliktin politik për sa më gjatë që të jetë e mundur si dhe të shmangë raportimin e mbledhjeve të fondeve gjatë tremujorit të pare, që historikisht ka qenë i dobët.

Dhe ndërsa gjasat janë për një rikandidim të zotit Biden në 2014, disa demokratë po përpiqen t’ia ndryshojnë mendjen.

Gjatë ditëve të fundit, në Xhorxhia, Miçigan dhe Karolinën e Jugut një grupim po zhvillon një fushatë me lajtmotivin “Joe, mos kandido”.

Sidoqoftë, nëse zoti Biden nuk kandidon, tek demokratët nuk ka një kandidaturë alternative. Kjo mund të jetë arsyeja se përse një sërë zyrtarësh demokratë po inkurajojnë publikisht Presidentit të garojë përsëri.

Gjatë një inervistë, ligjvënësi demokrat Ro Khanna, tha se nuk do ta sfidonte Presidentin dhe nuk mbështestë askënd në parti që do vendoste t’i dilte përballë.

Quentin Vathum-Ocama, president i Demokratëve të Rinj të Amerikës, ka qenë kritik ndaj zotit Biden në të kaluarën, por tha se ishte dakord nëse ai rikandidonte.

“Edhe pse të rinjtë nuk janë tepër entuziastë rreth administratës së zotit Biden”, tha ai, “ata e ndjejnë se e kanë për detyrë të mbështesin partinë për shkak të kërcënimeve ndaj demokracisë nga zoti Trump dhe aleatët e tij”.

Senatori i Vermontit, Bernie Sanders mendon se Partia Demokratike duhet të jetë më shumë se një parti “anti-Trump”.

Senatori i pavarur tha se demokratët në Kongres duhet të trajtojnë me urgjencë reale tkurrjen e votuesve të shtresës punëtore që janë gjithnjë e më të gatshëm të mbështesin zotin Trump dhe aleatët e tij republikanë. Ai u bëri thirrje demokratëve në Senat të miratojnë rritjen e pagës minimale.

Sa i përket synimeve të tij për vitin 2024, 81-vjeçari Sanders, i cili kërkoi kandidimin për president në vitet 2016 dhe 2020, tha se nuk ishte koha e duhur për të diskutuar nëse ai do të jetë sërish në garë për Shtëpinë e Bardhë.

“Do të marr një vendim në kohën e duhur”, tha zoti Sanders. /VOA