Një ish-komandant i ushtrisë ruse ka vdekur “papritmas” në moshën 69-vjeçare, sipas një njoftimi të fabrikës së tankeve ku ai po punonte. Uralvagonzavod, prodhuesi më i madh i tankeve në Rusi, ku gjenerali Alexei Maslov ka punuar si përfaqësues i shitjeve ndërkombëtare, nuk dha detaje të mëtejshme, shkruajnë mediat e huaja.
Gjenerali Maslov, i cili ishte komandant i përgjithshëm i forcave tokësore të Rusisë nga viti 2004 deri në 2008, vdiq në ditën e Krishtlindjeve në një spital ushtarak në Moskë.
Ish-komandanti kishte lidhje të ngushta me vendin që Rusia pushtoi në shkurt. Karriera ushtarake e gjeneralit Maslov filloi në Ukrainën Sovjetike, ku ai studioi në kolegjin më të lartë të komandantëve ushtarakë në Kharkiv. Më vonë ai u vendos në malet Karpate në kufi me Rumaninë.
Pas katër vitesh në komandë të forcave të armatosura të Rusisë, gjenerali Maslov u emërua zëvendës i Dmitry Rogozin, atëherë i dërguari i Rusisë në NATO në Bruksel. Rogozin, një mbështetës i vendosur i pushtimit rus të Ukrainës, i cili u plagos në një sulm nga ukrainasit javën e kaluar, e përshkroi gjeneralin si një oficer me përvojë.
Vdekja e gjeneralit Maslov, erdhi disa ditë pasi një zyrtar i Marinës i ngarkuar me ndërtimin e nëndetëseve, gjithashtu vdiq në mënyrë misterioze.
Alexandar Buzakov, 65 vjeç vdiq fundjavën e kaluar, një ditë pasi udhëhoqi nisjen e një nëndetëse të re nga kantieri i anijeve ruse Admiralty në Shën Petersburg. Kompania ku ai punonte e përshkroi vdekjen e tij si të “parakohshme dhe tragjike”.
Pasi politikani, deputeti dhe multimilioneri rus Pavel Antov, anëtar i partisë Rusia e Bashkuar e Putinit, u gjet i vdekur jashtë një hoteli në Indi, pati spekulime për shkaqet e vdekjes së tij.
Kujtojmë se Antov ishte në një udhëtim me tre miq të tij me rastin e 66-vjetorit të lindjes. Antov kohët e fundit kritikoi presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë, por i tërhoqi shumë shpejt kritikat e tij. Vdiq pasi u rrëzua nga kati i tretë i hotelit të tij më 24 dhjetor.
Miku i tij Vladimir Bidenov u gjet i shtrirë pa ndjenja në dhomën e tij dy ditë më parë, dhe u shpall i vdekur nga mjekët në spitalin e qarkut.
Alexandr Sherba, një diplomat ukrainas i cili ka punuar si ambasador i Ukrainës në Austri nga viti 2014 deri në vitin 2021, duke komentuar incidentin, konfirmoi se konsulli i përgjithshëm rus në Kalkuta deklaroi se policia nuk ka asgjë të dyshimtë për vdekjen e Antov.
/abcnews.al