Shërbimet sekrete të vendeve të huaja po përpiqen të marrin kartelat shëndetësore të kancelares gjermane Merkel. Sipas të përditshmes gjermane Bild, gjuetia ndaj të dhënave mjekësore të politikanes 65-vjeçare ka nisur pas dy episodeve kur ajo është shfaqur duke u dridhur në mënyrë të pazakontë.
Dridhjet dhe shenjat e tjera kanë nxitur shërbimet sekrete të vendeve të huaja, që prej javësh po përpiqen të gjejnë kartelat shëndetësore të kancelares gjermane Angela Merkel.
Pa saktësuar se për cilat vende flitet, gjuetia për të dhënat mjekësore ka nisur pas krizës së parë të dridhjeve që ndodhi në 18 qershor 2019 gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski.
Tjetra në 27 Qershor 2019, pak para nisjes për në Osaka të Japonisë në kuadër të samitit të G 20-ës. Episode që kanë nxitur kuriozitet, sipas të përditshmes gjermane Bild, e cila thekson se kancelarja nuk ka thënë asnjë gjysmë fjale për dridhjet e saj dhe as ka pranuar të tregojë nëse po merr ndonjë mjekim.
Si pasojë disa shërbime sekrete në botë janë të bindur se kanë disa shpjegime dhe po përpiqen të marrin kartelat shëndetësore të Merkel. Sipas Bild, disa agjentë sekretë janë të bindur se politikania gjermane fsheh një problem neurologjik.
Bild intervistoi disa mjekë të cilët njëzëri u shprehën se bëhet fjalë për një çështje private. Gjithsesi, sipas të përditshmes gjermane, fakti që liderja e CDU-së refuzon të japë shpjegime, perceptohet si shenjë dobësie dhe se ajo ka diçka për të fshehur./ABC News Albania 24/7