ODIHR shuplakë të gjitha palëve: Zgjedhësit u vunë nën presion

schedule15:00 - 1 Korrik, 2019

schedule 15:00 - 1 Korrik, 2019

Një ditë përpara zgjedhjeve është publikuar i pari raport ndërkombëtar për cilësinë e tyre. Misioni i ODIHR dha vlerësimet paraprake duke mos thënë plotësuan ose jo standardet, por duke kritikuar të gjitha palët politike për presion ndaj zgjedhësve. Vrejtje pati për bashkitë opozitare por edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Nuk u morën parasysh interesat e zgjedhësve”, tha Glover, Shefe e Misionit të ODIHR.

Kjo është kryefjala e Odri Glover, shefes së misionit të ODIHR që monitoroi 30 qershorin. Skuadra e saj monitoruese në mbarë vendin, nuk ka përpunuar ende çdo informacion, ndaj këtë të hënë Glover nuk thotë dot nëse zgjedhjet e kësaj të diele i plotësojnë apo jo standardet.

Megjithëktë, ODIHR i ka të qarta kritikat, dhe ato nuk kursejnë asnjë palë.

“Ne pamë prova se votuesit ishin nën presion nga të gjitha palët politike“, deklaroi Glover.

Glover nënvizon se qytetarët, aktorët më të rëndësishëm në zgjedhje, nuk patën mundësi vërtetë të zgjidhnin.

Tërheqja e opozitës e kufizoi mundësinë për zgjedhje”, tha Glover.

Klima e këtij procesi zgjedhor vlerësohet negativisht, i ngarkuar dhe me pasiguri për qytetarët. Jashtë kritikave nuk ngeli as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Nuk kemi arsye të supozojmë se nuk operoi si i pavarur, ishte konstruktiv sa i përket vendimeve që mori për ta lejuar procesin që të vazhdonte, ashtu sikurse kishte disa raste ku vendimet e KQZ ishin me pikëpyetje”, theksoi Glover.

Glover thotë se mos lejimi i komisionerëve të opozitës nuk siguroi balancën e administratës zgjedhore, por në këtë pikë kritikon bashkitë opozitare që disa herë kyçën apo dogjën ambientet e votimit.

Administrata lokale në disa pjesë të vendit nuk bëri detyrën e vet për të siguruar të drejtën e votuesve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, tha Glover.

Me shqetësimin se rekomandimet e ODIHR, nuk janë marrë në konsideratë tërësisht në 13 zgjedhjet e kaluara, Glover ka këtë mesazh për politikën shqiptare.

“Ne i urojmë Shqipërisë sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe u kërkojmë aktorëve politikë të punojnë në emër të të gjithë qytetarëve të këtij vendi”, tha Glover.

Raporti përfundimtar i këtij misioni do të publikohet brenda dy muajve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!