Atentati në New York, 4 të plagosur

schedule16:40 - 11 Dhjetor, 2017

schedule 16:40 - 11 Dhjetor, 2017

27-vjeçari Akayed Ullah është autori i sulmit terrorist në stacionin qendror të autobusëve në Manhatan të Shteteve të Bashkuara. Ai mbeti i plagosur gjatë atentatit dhe po merr mjekimin e nevojshëm, ndërsa gjendet në masën e arrestit. Nga kjo ngjarje janë plagosur edhe 3 persona të tjerë.

Policia e Nju Jorkut ka dhënë detaje lidhur me sulmin terrorist që u zhvillua mëngjesin e së hënës në stacionin qendror të autobusëve në Manhatan të Shteteve të Bashkuara. “I dyshuari kryesor i cili është arrestuar pas shpërthimit në Nju Jork është 27-vjeçari Akayed Ullah”, tha Komisari i Policisë, Xhejms O’Neill. Sipas tij, autori i sulmit kishte veshur një “pajisje amatore shpërthyese në trupin e tij, të cilën e ka shpërthyer qëllimisht”. Ullah gjendet në spitalin Bellevue, ku po trajtohet për prerje dhe djegje në duar dhe në pjesë e barkut. Sipas autoriteteve të Nju Jorkut, autori i atentatit terrorist nuk është në gjendje të rëndë. Mediat amerikane shkruajnë se ai është me origjinë nga Bangladeshi por jetonte në Bruklin.

Gjatë sulmit terrorist të zhvilluar në mënyrë amatore, siç cilësohet nga policia, kanë mbetur të plagosur lehtë edhe 3 persona të tjerë. Hetimet lidhur me këtë ngjarje kanë filluar, dhe autoritetet e konsiderojnë si një zhvillim që ka lidhje me terrorizmin.

Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shfaq një person, për të cilin thuhet se është autori i sulmit, i shtrirë në dysheme ndërsa rrobat i ka të grisura nga shpërthimi në pjesën e sipërme të trupit. Për ngjarjen ka reaguar edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio, i cili ka vizituar stacionin qendror të autobusëve në Manhatan. Ai theksoi se autori ka vepruar i vetëm. “Terroristët nuk do të fitojnë”, u shpreh kryebashkiaku.

Ndërsa Guvernatori i Nju Jorkut, Andruj Kuomo nënvizoi: “Ky është Nju Jork. Realiteti është se ne jemi një shënjestër për ata që duan të bëjnë veprime kundër demokracisë, kundër lirisë”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Sanders tha se presidenti Donald Trump është informuar lidhur me sulmin terrorist. Ndërkohë, fillimisht terminali i autobuzëve u evakuua dhe u mbyll për shkak të shpërthimit. Pas verifikimeve të ekipeve speciale çdo gjë iu kthye normalitetit. Sipas mediave amerikane, ky stacion u shërben mbi 65 milionë personave në një vit./abcnews.al