“Dolën nga makina dhe më goditën me sende të forta”, drejtori i OSHEE në Lezhë mohon t’i ketë njohur dhunuesit

schedule12:04 - 1 Dhjetor, 2022

schedule 12:04 - 1 Dhjetor, 2022

Drejtori i OSSHEE në Lezhë, Edmir Perndreca ka dhënë detaje në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj tij një natë më parë nga tre persona që më pas u larguan. Në dëshminë e tij, Perndreca ka bërë të ditur se ka konstatuar një automjet që i vinte nga pas për një distancë të gjatë rruge që më pas e goditi atë nga pas. Ai ka ndaluar menjëherë automjetin dhe ka zbritur në tokë, por është përballur me goditjet me sende të forta të tre personave që ndodheshin në automjetin që e goditi.

Pas ngjarjes, autorët janë larguar dhe Perndreca nuk ka njohur asnjërin prej tyre. Duke iu referuar ngjarjes, Drejtori i OSSHEE në Lezhë mendon se dhuna ndaj tij ka lidhje me detyrën. Ditët e fundit janë zhvilluar aksione ndaj debitorëve dhe lidhjeve të paligjshme të energjisë. Nga dhuna e ushtruar Perndreca ka pësuar fraktura të shumta dhe thyerje ndërsa ndodhet në spitalin e traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Policia nuk ka mundur ende të identifikojë autorët pasi ngjarja ka ndodhur në një zonën pa shumë lëvizje dhe ku nuk ka kamera sigurie. Burime nga blutë e Lezhës bëjnë të ditur se po analizohen kamerat e rrugëve për të parë mjetet që kanë kaluar në atë periudhë kohore dhe ato ti vihen në dispozicion drejtorit të dhunuar nëse do të mund të identifikojë ndonjërën prej tyre.

Ndërkohë po pyetet nëse ka patur kalimtarë të rastësishëm që mund të kenë parë ngjarjen. Policia ka analizuar edhe mjetin e vetë drejtorit të OSSHEE për gjurmë të mundshme që mund të jenë lënë nga automjeti që e goditi më pas, kryesisht për ngjyrën që do ti çonte hetuesit drejt dhunuesve te funksionarit të OSSHEE në Lezhë.

/abcnews.al