Një nismë e vogël lokale ka bërë të mundur që vajza 31 vjeçare e cila mbahej e lidhur me zinxhir në fshatin Zheje të Kurbinit nga nëna e saj Marta Cacurri të ketë mundësi të kurohet në Spitalin e Shkodrës si dhe të ketë një banesë të re.
Rasti i cili u bë u njohur nga gazetari i ABC Ahmet Zani tashmë duket se ka gjetur një zgjidhje. Në një bisedë në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri avokati Adriatik Lapaj ka komentuar ngjarjen si një histori të dhimbshme por me një fund të mirë.
‘Është një histori, sado e dhimbshme, ka një histori të mirë, vajza të ka një përmirësim të dukshëm, kanë efekt ilaçet, nuk e kam takuar kurrë, lajmi është bërë publik nga ABC, për ta dhënë këtë mesazh’ u shpreh Lapaj.
Për avokatin Adriatik Lapaj ‘njerëzit duhet ti flasin problemet, ti ulërasin, heshtja i shërben vuajtjes, vazhdimit të një modeli, ndërkohë që shoqëria jeton në fiktivitet’. Për Lapajn nga kjo histori, mesazhi që del më së forti, është se duhet kërkuar ndihmë, duhet kërkuar e drejta.
‘Media që ju përfaqësoni, është një strukturë shoqërore, e ngriti në nivel kombëtar problemin, për ta zgjidhur. Si puna e nënë Martës, ka me dhjetëra ndoshta me qindra në Shqipëri, që kanë probleme të mëdha me fëmijët e tyre, por për shkak të reagimit nga shoqëria, këto probleme vuajnë për trajtime që janë shumë të thjeshta’, tha Lapaj.
Ndërkohë ai bëri të ditur që vajza u bë mirë brenda 5 javëve nga spitali i Shkodrës, ndërkohë që vajza më parë mbahej e lidhur me zinxhir. Ndërkohë familja, përveç problemeve shëndetësore të vajzës, kishte dhe probleme ekonomike si dhe banesa e tyre ishte shkatërruar nga tërmeti i tre viteve më parë. Tani për Marta Cacurri dhe fëmijët e saj është siguruar një shtëpi dhe vajza e sëmurë jeton pranë familjes në kushte më të mira shëndetësore. /abcnews.al