Ajo që mbeti pa u zbardhur nga takimi që kryedemokrati zhvilloi me Presidentin e Republikës vendosi ta thotë vetë Lulzim Basha.
“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk merr pjesë në asnjë proces zgjedhjesh dhe në asnjë diskutim për zgjedhje, nuk merr pjesë në asnjë diskutim për zgjidhje politike apo për reforma apo për çfarëdo formule pa dalë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në vjedhjet e zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin”.
Këtë ia bëri të ditur edhe presidentit Ilir Meta. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin është kushti i panegociueshëm që opozita t’u kthehet proceseve politike.
“Ne nuk bëjmë marrëveshje me Edi Ramën, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kusht. Në as nuk diskutojmë më me Edi Ramën në asnjë rrethanë. Tashmë ikja e tij është e vetmja rrugë për të zgjidhur krizën. Ata që mendojnë se Edi Rama do t’ia hedhë gabohen”.
Kryeministri Rama është në fund të rrugës së tij politike sipas kryedemokratit Basha.
“Dhe do të jetë një fund i keq, por i denjë për një rrugëtim të bërë, më së shumti, në shoqërinë e kriminelëve”.
Por ikja e Ramës është gjithashtu, në interes të integrimit të Shqipërisë në BE vë në dukje kreu demokrat.
“Klouni që bëri për të qeshur Evropën me veshjen dhe sjelljen e tij, tashmë është lakuriq si njeri i lidhur me krimin. Dhe në botën demokratike perëndimore ka vetëm një vend për politikanët e lidhur me krimin, burgu”.
I kërkon shqiptarëve të ndalen e të thellohen në rëndësinë e një procesi zgjedhor. 30 qershori nuk është dita kur qytetari vendos me votën e tij u tha shefi i opozitës.
“Është thjesht dita kur aleanca krim-qeveri mendon se do të forcojë pushtetin e saj. Por 30 qershori është dhe do të jetë nul. Ai do t’i japë goditje të rëndë psuhtetit të Edi Ramës dhe krimit”.
Lulzim Basha premton se opozita do të bëjë ç’të mundet që 30 Qershori të hyjë në histori si dita fatale e pushtetit të Edi Ramës.
“Shumë shpejt ky regjim do të mbarojë. Këtë do të tregojmë edhe më 30 qershor”./ABC News Albania 24/7