Uejn Runi shënoi sërish një gol nga mesi i fushës. Sulmuesi anglez i dha fitoren skuadrës së tij në ligën profesioniste amerikane.
Në moshën 33-vjeçare nuk i ka humbur aftësitë e dikurshme.
Uejn Runi realizoi një tjetër gol sensacional, këtë herë në futbollin amerikan, duke ndihmuar edhe ekipin e tij që të fitonte.
Sulmuesi anglez shënoi nga 60 metra largësi, pra përtej mesit të fushës, në ndeshjen DiSi Junajtid-Orlando, duke e zënë në befasi portierin kundërshtar.
Ishte minuta e 10-të, dhe DiSi Junajtid e fitoi ndeshje pikërisht falë golit të sulmuesit të tyre.
Runi prej dy sezonesh po luan në Shtetet e Bashkuara, ku ka shënuar 20 gola në 35 ndeshje, dhe po përpiqet të fitojë trofe, pasi mori 16 kupa në radhët e Mançester Junajtidit.
Rekordmen i golave të Junajtidit, dhe po ashtu rekordmen i golave të kombëtarëes angleze, Runi e ka provuar edhe më parë se çdo të thotë të shënosh nga një largësi e madhe.
Thuajse nga mesi i fushës, ai shënoi për Mançester Junajtidin, në ndeshjen e luajtur në mars 2014 në fushën e Uest Hemit.
Runi goditi në të njëjtin krah, veçse pak më afër, në fitoren 2-0 të “djajve të kuq”.
Goli tjetër nga mesi i fushës erdhi në 2017, kur futbollisti ishte kthyer tek Evertoni.
Ai goditi nga më shumë se 50 metra, duke ndëshkuar ish-portierin e Anglisë, Xho Hart, në suksesin 4-0 të Evertonit po ndaj Uest Hemit, në “Gudison Park”. /ABC News Albania 24/7