Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të mbështesin planin e paqes pas një valë sulmesh me raketa kundër vendit.
“E theksoj edhe një herë: është koha për të mbështetur planin e paqes të Ukrainës. Nuk duhet të ekzistojë më terrori në botë,” tha Zelensky.
Zelensky theksoi nevojën për “sisteme moderne dhe efektive të mbrojtjes ajrore dhe raketore” pasi detajoi serinë e sulmeve ajrore ruse që shkatërruan objekte kritike, duke përfshirë infrastrukturën energjetike, strehimorët dhe një maternitet, ku u vra një foshnjë e porsalindur.
Sulmi në shkallë të gjerë në infrastrukturën energjetike çoi gjithashtu në ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike në Ukrainë dhe Moldavinë fqinje, një akt që Zelensky tha se ishte “analog me përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë”.
“Kur temperaturat jashtë bien nën zero dhe dhjetëra milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë si rezultat i sulmeve me raketa, ky është një krim i dukshëm kundër njerëzimit”, tha Zelensky.
Ambasadorja e SHBA-së Linda Thomas-Greenfield ishte një nga disa përfaqësuesit që përsëriti mbështetjen për Ukrainën, duke dënuar sulmet e Rusisë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
“Motivi i Putinit nuk mund të ishte më i qartë dhe më gjakftohtë. Ai ka vendosur që nëse nuk mund ta pushtojë Ukrainën me forcë, do të përpiqet të “”ngrijë” vendin nga i ftohti derisa të dorëzohet”, tha Greenfield.
/abcnews.al