Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha gjatë një konference për media se serbët duan vetëm paqe.
“Po i kërkoj Prishtinës që të mos nxisë tensione dhe të mos përdorë forcën. Shpresoj se nuk do të na duhet të mbrohemi nga dhuna e [Albin] Kurtit”, tha Rakiq.
Konferenca e mbajtur më 22 nëntor në Mitrovicën e Veriut, vjen pas takimit që përfaqësuesit serbë në Kosovë kanë pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministren Ana Brnabiq, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Rakiq tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është rezultat i marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe se serbët nga Kosova po kërkojnë vetëm që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen, ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.
“Ne duam të jetojmë të qetë dhe vetëm”, tha Rakiq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kundër formimit të asociacionit njëetnik.
Në konferencë për media, përveç kryetarëve të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – që dhanë dorëheqje në fillim të muajit, ishte i pranishëm edhe Ivan Todosijeviq, zyrtar i Listës Serbe dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Më 19 nëntor, në rigjykim, Todosijeviq u dënua me një vit burgim për “përhapje të urrejtjes dhe jotolerancës”
Ai u dënua për shkak të deklaratës së tij në mars të vitit 2019 se arsye për “agresionin e NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave më 1999 ka qenë “e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.
“Ata e dënuan Todosijeviqin vetëm për shkak të fjalës së lirë. Imagjinoni demokracinë e tyre dhe të drejtat e njeriut, ku ata e dënojnë njeriun për atë që thotë”, tha Rakiq.
Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës pas shkarkimit të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave.
Më 21 nëntor, takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, rezultoi pa marrëveshje.
Por, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mesnate vendosi ta shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.
Serbia – e cila lëshon targa të paligjshme për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999, e kundërshton këtë plan – duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës./REL/