Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev konfirmoi të dielën ndryshimet në qeverinë e tij. Mes lëvizjeve në radhët e kabinetit spikat ajo e ministrit të Financave, post që do të mbulohet nga vetë Zaev, si dhe ato të 3 ministrave shqiptarë.
Kryeministri Zoran Zaev konfirmoi ndryshimet në riformatimin e Qeverisë, duke njoftuar se personalisht do të ushtrojë funksionin e Ministrit të Financave dhe se Ministri i deritanishëm Tevdkovski do të vazhdojë të punojë si këshilltarë i tij në po të njëjtën ministri.
Zoran Zaev, kryeministër i RMV: “Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe ujërave, Trajan Demkovski, i cili është nga vetë ministria dhe është pjesë e stafit të ministrit Lubco Nikollovski, Ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini, Ministri i Kulturës Husni Ismaili, Ministër i Vetëqeverisjes locale Goran Milevski, Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive Sadulla Duraku, obligimin e ministrit të Financave do ta mar personalisht unë, do të jem në këtë funksion për një periudhë të caktuar, në të njëjtën kohë edhe Kryeministër”.
Pritet që Zoran Zaev sot në parlament do të propozojë emrat e ministrave, propozim i cili pritet të miratohet javën e ardhshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Pas rikonstruktimit të qeverisë, kryeministri Zaev njoftoi që do të vazhdojë me ndryshime edhe në nivelin e dytë dhe tretë qeverisës, duke përfshirë drejtorët dhe anëtarët e bordeve drejtuese dhe mbikëqyrësit në ndërmarrjet publike. Në lidhje me ndryshimet që do të bëhen brenda në LSDM, Zaev informoi që kanë ngelur për tu caktuar edhe nënkryetarët e partisë dhe 20 kryetarët e degëve komunale në parti. Zaev deklaroi se deri në fund të muajit, LSDM do t’i marrë vendimet për zgjedhjen e nënkryetarëve në parti dhe një pjese të vogël të kryetarëve të degëve komunale./ABC News Albania 24/7