Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Tradhtarë në çdo familje”/ Hungaria përballet me të kaluarën, hap dosjet sekrete të komunizmit

schedule17:25 - 2 Nëntor, 2026

schedule 17:25 - 2 Nëntor, 2026

Qeveria e re e Hungarisë pritet të publikojë më 4 nëntor emrat e dhjetëra mijëra personave që kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete gjatë regjimit komunist, në një përpjekje për të zbardhur të kaluarën dhe për të rikthyer besimin e publikut.

Nga viti 1945 deri në vitin 1989, shërbimet e sigurisë shtetërore në Hungari përdorën një rrjet të gjerë informatorësh për të mbikëqyrur qytetarët dhe për të shtypur çdo formë kundërshtimi ndaj regjimit. Informatorët raportonin për fqinjët, miqtë, kolegët dhe madje edhe anëtarët e familjes.

Disa prej tyre u detyruan të bashkëpunonin përmes shantazhit, ndërsa të tjerë u rekrutuan me premtime për përfitime të ndryshme, shkruan “The Guardian”.



Për dekada me radhë, dokumentet e shërbimeve sekrete mbetën kryesisht të paarritshme për publikun, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për transparencë.

Kryeministri Péter Magyar kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se do të hapte dosjet e ish-policisë sekrete. Në shtator, qeveria miratoi ligjin që mundëson publikimin e tyre, ndërsa nisma u mbështet nga shumica e qytetarëve, sipas sondazheve të cituara nga mediat.

Sipas historianëve, në dosje përmenden rreth 50 mijë deri në 60 mijë persona, por vlerësohet se vetëm 10% e tyre janë ende gjallë. Megjithatë, dokumentacioni është i paplotë dhe për një pjesë të madhe të personave nuk ka të dhëna të hollësishme mbi shkallën apo motivet e bashkëpunimit.

Dosjet për rreth 9 mijë persona, të cilat përmbajnë dokumentacion më të detajuar, pritet të publikohen në shkurt, pasi të jenë redaktuar të dhënat personale dhe informacionet sensitive që lidhen me viktimat.

Historianët theksojnë se publikimi i dokumenteve do ta bëjë Hungarinë një nga vendet më transparente të ish-bllokut lindor për sa i përket së kaluarës së shërbimeve sekrete.

Megjithatë, hapja e arkivave pritet të rikthejë në vëmendje edhe histori të dhimbshme familjare. Shumë qytetarë mund të zbulojnë për herë të parë se njerëz të afërt kanë bashkëpunuar me regjimin komunist.

Hungaria nuk është vendi i parë ish-komunist që ndërmerr një hap të tillë. Gjermania Lindore hapi arkivat e shërbimit sekret Stasi në vitin 1992, ndërsa Republika Çeke i bëri publike dosjet në vitin 2003.

Letonia publikoi dokumentet për informatorët në vitin 2018.

Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se dokumentet duhet të trajtohen me kujdes, pasi jo çdo person i përmendur në dosje ka pasur të njëjtën shkallë përgjegjësie.

Disa janë detyruar të bashkëpunojnë, ndërsa të tjerë kanë vepruar vullnetarisht.

Publikimi i dosjeve shihet si një hap i rëndësishëm për përballjen e shoqërisë hungareze me të kaluarën komuniste, por edhe si një proces që mund të hapë plagë të vjetra dhe të nxisë debate mbi përgjegjësinë individuale dhe historinë familjare.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!