Nga David Lepeska “The National”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kur vonë në mbrëmje i hipa trenit që largohej nga Kievi fundjavën e kaluar, pata ndjesinë se nuk po drejtohesha drejt një destinacioni të caktuar, por thjesht po largohesha nga diçka. Me shumë gjasa po u ikja bombave dhe dronëve kamikazë, ndërprerjeve të energjisë dhe ditëve pa ujë që kanë mbërritur dhe po diktojnë jetën e banorëve në kryeqytetin ukrainas.
Kjo më bëri të mendoj mbi skenën politike në Turqi, dhe se ku mund të shkojë ajo, pasi inflacioni vazhdon të arrijë në nivelet më të larta rekord, dhe me zgjedhjet që mund të ndryshojnë tërësisht situatën në pranverën e vitit të ardhshëm.
Javën e kaluar, vetëm disa ditë pasi Republika Turke nisi kremtimet për 100-vjetorit të saj, partia kryesore qeverisëse AKP shënoi plot 2 dekada në pushtet. “Sa më gjatë të mbijetojë një regjim demokratik, aq më pak gjasa ka që ai të shembet. Dhe sa më gjatë të mbijetojë një autokraci, aq më shumë ka gjasa që ajo të shembet”- shkroi Michael McFaul, ish-ambasador i SHBA në Rusi, në një libër të botuar më vitin 2009.
Për pjesën më të madhe të historisë së saj, udhëheqësit e Turqisë duket sikur janë tallur me këtë pohim, duke e balancuar vijën e hollë që i ndan këto etiketa. Themeluesi i vendit, Mustafa Kemal Ataturk, është një figurë, trashëgimia e të cilit duket se bëhet sa mbresëlënëse po aq edhe problematike pas çdo viti që kalon, raporton abcnews.al.
Ai është pozicionuar në historinë e vendit si një modernizues i veçantë në Lindjen e Mesme, duke ndërtuar një demokraci relativisht të qëndrueshme, me një reformim shekullarizues në një rajon që ka përjetuar pak gjëra të ngjashme gjatë shekullit të kaluar.
Në këtë aspekt, Ataturku krahasohet me udhëheqësit evropianë të epokës së tij. Kujtojmë se javën e kaluar u përkujtua 100-vjetori i marshimit të Benito Mussolinit në Romë. Menjëherë pas asaj ngjarjeje ai u bë udhëheqësi i Italisë dhe ndërtoi një shtet totalitar fashist.
I frymëzuar nga suksesi i fashistëve italianë, Adolf Hitleri ndërmori vitin e ardhshëm puçin e tij të famshëm të Birrarisë së Mynihut. Ai grusht shteti dështoi, por la shenjën e tij, dhe në fundin e dekadës së ardhshme, të dy këta udhëheqës po komplotonin për të pushtuar gjithë Evropën, dhe gati e arritën atë synim.
Fakti që Ataturku arriti gjithçka në Turqi në të njëjtën periudhë, e vendos atë përkrah një numri të vogël udhëheqësish të mëdhenj të shekullit XX-të. E enjtja shënon 84 vjetorin e vdekjes së tij, dhe ky përvjetor do t’u ofrojë sërish turqve mundësinë për të shprehur krenarinë dhe admirimin e tyre të qëndrueshëm për këtë figurë.
Disa muaj pasi u transferova me banim në Turqi në vitin 2013, isha duke shëtitur një ditë përgjatë Bosforit, pranë ndërtesës përrallore të Pallatit Dolmabahçe, kur makinat që kalonin nisën të ndalonin, njëra pas tjetrës. Edhe këmbësorët ndaluan, ndërsa shoferët hapën dyert e makinave, dolën jashtë dhe qëndruan në heshtje, raporton abcnews.al.
Edhe unë ndalova dhe hodha sytë përreth, i shtangur dhe i shqetësuar. A mos vallë kishte ndodhur një pushtim alien, apo një sulm i madh bërthamor? Pastaj u kujtua se kisha lexuar për këtë përkujtesë të rëndësishme vjetore të turqve. Disa prej tyre vunë duart mbi zemër, por shumica që përkujtuan atë ditë themeluesin e republikës në atë rrugë të Stambollit gjatë orarit të pikut në mëngjesit, qëndruan të palëvizur në këmbë për një minutë të plotë.
Pastaj që të gjithë nisën të lëviznin për në punët e tyre të zakonshme. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite shfaqja më emocionuese e respektit kombëtar që kam parë ndonjëherë në jetën time.
Megjithatë, Ataturku nuk ishte shenjt. Disa e akuzojnë atë për dështimin e frenimit të Gjenocidit Armen. Në një prej shkrimeve të kohëve të fundit, pyesja veten nëse ai i shihte arabët si inferiorë. Mbretërimi i tij 15-vjeçar, shihet gjerësisht si një periudhë e sundimit autokratik.
Kur Turqia mbajti zgjedhjet 12 vite pas themelimit të shtetit, në fletën votimit ishte vetëm Partia Popullore Republikane, CHP, e Ataturk. Shumë nga vendimet e tij politike – heqja e alfabetit arab, ndalimi i mbajtjes së festes nga burrat, fundi i Kalifatit, kufizimi i riteve islamike – u morën pa asnjë konsultim publik.
Dhe është e lehtë të tërheqësh një vijë të drejtë nga goditja e Ataturkut ndaj ndikimit islamik në jetën publike, deri në lindjen dhe dominimin e mëvonshëm të AKP-së. Vëllazëria Myslimane u themelua në Egjipt në vitin 1928, pjesërisht si një kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të Kalifatit. Partia Vizioni Kombëtar e Necmettin Erbakan, në thelb një version turk i Vëllazërisë, i frymëzoi dhe motivoi themeluesit e AKP-së, të cilët nga ana e tyre mbështesnin ankesat e turqve konservatorë të margjinalizuar nga Kemalizmi, raporton abcnews.al.
Me krijimin e demokracisë së tij laike, Ataturk besonte se duhej të rreshtohej me ushtrinë dhe ta mbyllte Islamin në një “kuti”. Disa breza më vonë, kjo çoi në një kundërpërgjigje në formën e AKP-së. A janë tani turqit të vendosur për të ndërmarrë një rrugë të re?
Vëzhguesit e Turqisë e kanë parë në përgjithësi si një periudhë post-kemaliste, shfaqjen e AKP-së në skenën politike dhe përfundimin e tutelës ushtarake. Vitet e fundit, është folur shumë për një epokë post-kemaliste, me turqit që po largohen nga konservatorizmi i AKP-së dhe politika e liderëve autoritarë drejt diçkaje tjetër.
Ndërsa ideologjitë konkurruese përplasen midis tyre, ne mund do të fillojmë të shohim ndoshta drejtimin e ri. Muajin e kaluar, Kemal Kilicdaroglu – kreu i partisë së vjetër të Ataturkut dhe i opozitës kryesore në vend, CHP, dhe sfiduesi më i mundshëm i presidentit Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e vitit të ardhshëm – sugjeroi miratimin e një ligji të ri që njeh të drejtën e grave për të mbajtur shaminë në ambiente publike.
Në të kundërt, dekadat e ardhshme në Turqi mund t’i bëjnë jehonë luhatjeve të lavjerrësit demokrato-republikan, që ka përjetuar presidenca e SHBA-së që nga fillimi i viteve 1990. Shoqëria turke është ndoshta tejet e polarizuar për të arritur një konsensus të qëndrueshëm.
Suksesi mund të jetë thjesht një varg zgjedhjesh disi të lira dhe të ndershme, një stabilitet relativ, dhe një shkallë e caktuar e pluralizmit politik. Duke kërkuar vetë stabilitet, unë e vendosa me banim në Budapest të Hungarisë si vendstrehimi im i parë pas largimit nga Ukraina.
Ashtu siç do ta kishte dashur fati, pikërisht poshtë dritares së shtëpisë time, aktorja britanike Kate Winslet së bashku me një staf të madh po xhiron një film hollivudian mbi jetën e një fotoreporteri heroik të Luftës së Dytë Botërore. Një ditë, turqit mund të mësojnë gjithashtu se shkuarja në një vend të ri, nuk e ndryshon gjithmonë dhe aq sa mund të shpresohet peizazhin përreth.
Shënim: David Lepeska, ekspert për çështjet turke dhe të Mesdheut Lindor.
/abcnews.al