Gjykata e Shkalles së Parë Mat ka dhënë masën e sigurisë për 10 të arrestuarit që akuzohen për dëmtimin e materialeve zgjedhore në KZAZ nr. 16 dhe 17, përkatësisht në Burrel dhe Klos. Dy prej tyre u lanë në burg, 4 në arrest shtëpie dhe 4 në detyrim paraqitje.
Akuzohen se dëmtuan materialet zgjedhor në KZAZ nr 16 dhe 17 në Burrel dhe Klos. 10 prej personave të përfshirë në përplasjen e të mërkurës që kaloi u paraqitën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Mat.
Të afërmit e të arrestuarve u mblodhën para gjykatës, por nuk u lejuan të futen në sallën e gjyqit. Ata e konsiderojnë të turpshëm vendimin për të zhvilluar gjyqin me dyer të mbyllura. Në seancë nuk u lejuan as mediat.
Në fund, gjykata vendosi arrest me burg me afat 30 ditë për Shkëlzen Ukën dhe Myrteza Gjinin. Ilir Çeliku, Mehmet Limani, Xhevalin Gjegji dhe Riza Dishi në arrest shtëpi.
Ndërsa Murat Dedja, Enea Dedja, Hazbi Kurtagja dhe Eduart Topalli në detyrim paraqitje. Për ngjarjen që ndodhi në Burrel dhe Klos janë shpallur në kërkim edhe 12 persona të tjerë.
Punonjësit e Policisë Bashkiake të Burrelit dhe simpatizantët e Partisë Demokratike hynë me forcë në KZAZ nr. 16 dhe i vunë zjarrin bazës material. Të njëjtin fat paten edhe materialet zgjedhor në KZAZ nr. 17.
/ABC News Albania 24/7