Palestinezët dhe Izraelitët lëshojnë raketa kundër njëri-tjetrit

schedule22:07 - 8 Dhjetor, 2017

schedule 22:07 - 8 Dhjetor, 2017

Palestinezët dhe Izraelitët kanë lëshuar raketa kundër njëri-tjetrit duke ndezur kështu konfliktin mes tyre. Ky përshkallëzim erdhi pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA. Një izraelit dhe një palestinez kanë humbur jetën gjatë konfliktit të dhunshëm.

Përshkallëzohet situata në Lindjen e Mesme. Të premten janë lëshuar raketa nga toka Palestineze në drejtim të Izraelit. Sistemi antiraketë i qeverisë së Tel Avivit, “Iron Dome”, rrëzoi një raketë të nisur nga Gaza në drejtim të jugut të Izraelit. Nga shpërthimi i saj nuk ka pasur viktima apo qytetarë të lënduar. Gjithashtu është lëshuar edhe një raketë tjetër, e cila ka rënë në qytetin izraelit, Sderot duke goditur një makinë të parkuar në rrugë. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e Tel Avivit që kanë verifikuar shpërthimin në vendngjarje. Nga raketa një person është shtruar në spital në gjendje shoku.

I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Izraelit. Goditje me tank dhe sulme ajrore janë zhvilluar në veri të Rripit të Gazës. Lajmi është konfirmuar nga burime lokale të qeverisë palestineze. Të paktën një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, më herët dhe një palestinez tjetër mbeti i vrarë në rripin e Gazës në përleshjet me ushtarët izraelitë. Bëhet fjalë për viktimat e para të regjistruara si pasojë e trazirave që filluan pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Ndërkohë, bilanci I palestinezëve të plagosur në Bregun Perëndimor është rreth 1 mijë.
Ndërkohë, për të kundërshtuar veprimin e presidentit Trump, mijëra manifestues pro-Palestinës zhvilluan demonstrata në Jordani, Egjipt, Irak, Turqi, Tunizi dhe Iran. Gjithashtu protesta për këtë çështje ka pasur edhe në shumë shtete të tjera me shumicë muslimane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!