Arta Marku do vazhdojë të qëndrojë edhe për një kohë të papërcaktuar në krye të prokurorisë së përgjithshme. Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka arritur të verifikojë kandidatët në garë, e bërë renditjen e tyre për votimin në Kuvend, brenda afatit 45 ditor e për pasojë ka shtyrë procesin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shtyrë afatin ligjor që skadoi këtë të hënë, për të shqyrtuar kandidatët që janë në garë për pozicionin e kryeprokurorit. Shkak sipas drejtuesit të KLP-së Gent Ibrahimi është bërë konstatimi se kandidati Olsian Çela, ende nuk i është nënshtruar procesit të Vettingut.
“Rregullorja e miratuar më 19 Mars thotë që në rast se të përfundimit të afatit ligjor për verifikimin e plotësimit të kushteve nga kandidatët, ata kandidatë që janë ende në procesin e rivlerësimit dhe nuk janë rivlerësuar ende, sepse procesi është përtej mundësive trë KLP-së, KLP do të presë derisa ky proces të konsumohet. Sot konstatuam juridikisht se ai proces nuk ka përfunduar dhe vendosëm që të shtyjmë afatin. Ky është një vendim që nuk merret sot . Sot vetëm formalizohet, ky vendim është marrë me datë 19 Mars”, tha Ibrahimi.
Ndërkohë Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka bërë as Vettingun e Kandidatit Lulëzim Alushaj, avokatit që vjen nga jashtë sistemit.
“Kandidati jo prokuror është për t’u verifikuar nga ne. Jemi ne ata që themi kandidati jo prokuror plotëson kushtet sa i takon integritetit të pastërtisë së figurës”, tha Ibrahimi.
Në përfundim të mbledhjes Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi, ngritjen e një grupi pune, që do vijojë shqyrtimin e dokumentacionit të mbërritur nga institucionet për 4 kandidatët.
Grupi do kërkojë informacione shtesë për Arta Markun, Olsian Çelën, Fatjona Memçajn dhe avokatin Lulëzim Alushaj. Kjo mënyrë pune u shoqërua me debate nga anëtarë që e konsideronin si zgjatje procesi./ABC News Albania 24/7