Deputeti demokrat Xhelal Mziu ka kaluar tashmë zyrtarisht në grupimin që drejtohet nga kryedemokrati Sali Berisha. Mziu është prezent në mbledhjen e Grupit Parlamentar që po mbahet aktualisht në selinë blu.
Kujtojmë se në fillim të këtij sesioni parlamentar, ishin 28 deputetë ata që firmosën qe Enkelejd Alibeaj të mbetej në krye të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Megjithatë, sot ai i është bashkuar mbledhjes që drejtohet nga Luçiano Boçi dhe Berisha. Mziu është emëruar nga Berisha, drejtues politik i qarkut të Dibrës.
Duke raportuar nga selia blu, gazetari Juxhin Mustafaraj bën të ditur se në mbledhjen që po mbahet aktualisht në PD, deputetë të tjerë pritet t’i bashkohen Berishës. Po ashtu, ai shton se nuk përjashtohet edhe mundësia që mbledhjet të bëhen bashkarisht mes dy grupimeve.
Aktualisht ka shkuar në 22 numri i deputetëve që i bashkohen mbledhjeve të thirrura nga Luçiano Boçi.
Si Xhelal Mziu, ashtu edhe Tomorr Alizoti kanë marrë detyra të rëndësishme nga kreu Sali Berisha në fillim të shtatorit. Alizoti u vendos në krye të grupit të punës në Berat, ndërsa Xhelal Mziu, kreu i grupit të punës në Dibër. /abcnews.al/