Krimi që tronditi Parisin, 24-vjeçarja abuzoi me 12-vjeçaren para se ta vriste, e futi të gjymtuar në valixhe

schedule07:55 - 18 Tetor, 2022

schedule 07:55 - 18 Tetor, 2022

Një grua e pastrehë është vrasësja e dyshuar e vajzës 12-vjeçare të gjetur të vdekur në një valixhe në Paris, një krim që ka tronditur shoqërinë franceze.

Dambia B., një 24-vjeçare me origjinë nga Algjeria dhe “probleme ekstreme psikologjike” akuzohet për përdhunimin, torturimin dhe vrasjen e vogëlushes Lola Davie të premten e kaluar. Në konferencën e djeshme për media, Prokuroria tha se, gjatë marrjes në pyetje, e arrestuara ka bërë pretendime të ndryshme, herë duke pranuar e herë duke mohuar faktet e rastit. Por përfundimisht ajo pranoi se e mori vajzën në banesën e motrës së saj, e cila jeton në të njëjtën ndërtesë me familjen e vajzës dhe e detyroi të bënte dush. Më pas ajo e sulmoi seksualisht Lolën dhe kreu akte të tjera të dhunshme ndaj saj, të cilat rezultuan në vdekjen e saj.

E mitura u gjet e lidhur në një valixhe plastike në oborrin e një pallati pranë shtëpisë së saj. Trupi i saj u gjymtua dhe numrat 1 dhe 0 iu gjetën “të ngulitura” në gjoks. Pak kohë para krimit, kamera e sigurisë kishte regjistruar vrasësen e dyshuar dhe viktimën duke hyrë në pallatin ku jetonte 12-vjeçarja me prindërit e saj, në verilindje të kryeqytetit francez.

“E dyshuara mburrej se ka shitur organe njerëzore. Sipas dëshmive, vajza është dërguar në bodrumin e ndërtesës ku është torturuar, përdhunuar dhe mbytur para se t’i presin fytin… E dyshuara dyshohet se vuante nga probleme të rënda psikologjike. Ajo jetonte në rrugë, por kishte të afërm dhe miq në Paris”, thotë një burim me njohuri për hetimin, sipas Daily Mail.

Gjashtë persona, përfshirë motrën më të madhe të Dhabias, Frieda B., u arrestuan në lidhje me rastin. Mes të arrestuarve është edhe një 43-vjeçar, i cili akuzohet se ka strehuar një kriminel, pasi ka lënë 24-vjeçaren të qëndrojë në makinën e tij. Disa nga të arrestuarit tashmë janë liruar, pasi autoritetet tani besojnë se e reja algjeriane ka vepruar e vetme.

Prindërit e Lolës së vogël e kuptuan pasditen e së premtes se diçka nuk shkonte kur vajza po kthehej me vonesë nga shkolla. Babai, i cili kishte akses në kamerat e sigurisë së ndërtesës, kontrolloi pamjet dhe u tmerrua kur zbuloi se 12-vjeçarja më parë kishte hyrë në pallat me një grua të panjohur. Menjëherë nëna e Lolës së vogël ka deklaruar të zhdukur vajzën e saj dhe ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmë dhe informacion.

Dëshmitarët në lagje më vonë thanë se panë gruan duke tërhequr zvarrë valixhen që ishte “e njollosur me gjak” dhe “kishte erë të fortë zbardhuesi”.

“Vrasësja e supozuar fitoi disi besimin e viktimës dhe e çoi atë në një bodrum nën një ndërtesë ku ndodhi sulmi. Autorja foli për trafik organesh, por asgjë nga ajo që tha nuk kishte kuptim. Ajo ka vepruar vetë, pa detyrim dhe ka abuzuar me viktimën përpara se ta vriste atë”, theksoi një burim me njohuri për hetimet. /abcnews.al