Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.
Rama u ndal tek inflacioni i shkaktuar nga lufta, ndërsa tha se qeveria ka marrë çdo masë të nevojshme. Ndër të tjera, kryeministri uroi të ketë sa më shumë reshje shiu, pasi janë të nevojshme për të prodhuar energji.
Rama: Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh. Europa, ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke, që vjen nga një agression në dyert e Europës, që ka sjellë si pasojë, veç bombave dhe krimeve, edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë, por patjetër në Europë dhe në Shqipëri
Është një inflacion lufte. Kostoja që i paguajmë aventurës të një diktatori si Vladimir Putini, por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë që të bëjë gjithçka për të lehtësuar peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe mbi shpatullat e familjeve. Për këtë arsye kemi bërë gjithçka që kemi mundur. Jemi duke finalizuar buxhetin e viti të ardhshëm që është dyfishi i buxhtetit 2013.
Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm, pasi jemi ende shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje shiu, kemi më pak nevojë për të dalë në import, por gjithsesi do vazhdojmë të dalim sepse nuk prodhojmë sa për të përmbushur të gjitha nevojat. Jemi besimplot që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. /abcnews.al