Dy shkollat e reja “Nënë Tereza” dhe “John F. Kennedy” në Kodër Kamëz, i çelën dyert këtë vit shkollor për nxënësit, me hapësira të bollshme dhe me standarde bashkëkohore. Ato janë pjesë e një kampusi të ri për arsimin parauniversitar në Kodër Kamëz dhe do t’i japin mundësi çdo fëmije të kësaj zone, që të kryejë të gjithë ciklin arsimor brenda perimetrit ku banon. Në këto dy ndërtesa, të projektuara nga arkitekti i njohur Stefano Boeri, ofrohet cikli parashkollor, 9-vjeçar dhe gjimnazi.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministren e Arsimit, Evis Kushi dhe ministren për Rininë, Bora Muzhaqi, uruan nxënësit që janë ulur për herë të parë në bankat e shkollave për një vit mësimor të suksesshëm në mjediset e reja.
“Këtu nuk kemi ndërtuar vetëm një shkollë, por një vatër që prodhon energji të mirë për Kodër Kamzën. Kjo shkollë, e cila është ndarë në dy godina, fillon nga cikli parashkollori, vijon me 9-vjeçaren dhe gjimnazin – është një kampus i jashtëzakonshëm, që unë besoj se do t’i ndryshojë fytyrën, imazhin, reputacionin dhe ekonominë zonës, siç asnjë projekt tjetër nuk e ka bërë më parë,” u shpreh Veliaj.
Ai kujtoi se si në çdo projekt tjetër për zhvillimin e Tiranës, asgjë e bukur që është ndërtuar në këto vite, nuk ka qenë i lehtë: “Kur kujtoj se çfarë kemi hequr për këtë shkollë, me debatet – madje kemi pasur edhe një debat live në Kryeministri me rektorin e asaj kohe – me armiqësi pa kuptim, me sulme pa logjikë, me urrejtje të pashpjegueshme për një pronë private, të cilën e blemë sa “frëngu pulën”, kur thonë tironsit, për t’u siguruar se pikërisht këtu, ku ndahet Kamza me Tiranën, ne, në vend që ta trajtonim si një zonë me mur, si një zonë kufitare me gardhe, si një zonë që na ndan, e trajtuam si një zonë që na bashkon. Asgjë nuk e bashkon më shumë një komunitet sesa shkolla,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se vendosja e emrave të mëdhenj si Nënë Tereza apo ish-Presidentit amerikan John F. Kennedy, për këtë të fundit erdhi edhe si simbolikë e bukur në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA.
“Nuk ka mënyrë më të mirë për të festuar 100-vjetorin e marrëdhënieve speciale që kemi me Amerikën se sa ndërtimi i një shkolle me emrin John F. Kennedy – një nga presidentët më të emancipuar amerikanë. Kësaj shkolle i shkon emri i një lideri të madh,” tha Veliaj, i cili duke cituar John Kennedy-n, tha se “një fëmijë që nuk ka arsim, nuk ka dije, është një fëmijë i humbur. Misioni ynë është që të mos humbasim asnjë çun dhe asnjë gocë nga Kodër Kamza, Lapraka, Instituti, për të ardhmen tonë,” theksoi Veliaj.
Veliaj ironizoi edhe një pjesë të opinionbërësve në ekranet televizive shqiptare: “Është shumë kollaj të shash sot! Është shumë kollaj të vësh stërkëmbësha! Është shumë kollaj t’i vësh thikën pas shpine dikujt që mundohet! Është shumë kollaj, siç ishte për ata që e kundërshtuan dhe shkollën. Gjëja më e vështirë është si do ta bëjmë? Si do t’ia mbërrijmë? Si do ta ndërtojmë? Si do arrijmë që sot të kemi një histori suksesi këtu në Kodër Kamëz, nga një zonë kufitare që na ndante, në një zonë kufitare që na lidh Tiranën me Kamzën,” tha Veliaj.
Dy shkollat e reja, “Nënë Tereza” dhe “John Kennedy”, janë pjesë e një sërë investimesh që kanë transformuar zonën dhe kanë rritur dhe vlerën e pronave përreth. /abcnews.al