Vasili: Qeveria ka marrë peng Parlamentin e Shqipërisë

schedule11:53 - 12 Tetor, 2022

schedule 11:53 - 12 Tetor, 2022

Deputeti Petrit Vasili, në një deklaratë për mediet ngriti sipas tij, një problem madhor, atë të bllokimit të Parlamentit nga qeveria.

“Parlamenti po përjeton ditët më të errëta në këto 30 vjet pluralizëm dhe pa e tepruar mund të thuhet me gojën plot që qeveria po zbaton një puç institucional për bllokimin e Parlamentit”, tha Vasili.

Ai theksoi se prej muajsh janë depozituar projektligje nga Partia e Lirisë dhe nuk janë prekur me dorë nga qeveria.

Deklarata e plotë:

Jemi në këtë komunikim me median për një problem tepër madhor që ka të bëjë me bllokimin total të Parlamentit nga qeveria.

Parlamenti po përjeton ditët më të errëta në këto 30 vjet pluralizëm dhe pa e tepruar mund të thuhet me gojën plot që qeveria po zbaton një puç institucional për bllokimin e Parlamentit.

Është e paimagjinueshme që për javë të tëra Parlamenti shqiptar vetëm në tre seancat e fundit ka shqyrtuar gjithsej dy projekt marrëveshje ndërkombëtarë, ndërsa në rendin e ditës së nesërme nuk ka asnjë projektligj të depozituar.

Ndërkohë që janë depozituar projektligje nga Partia e Lirisë prej muajsh të tërë ku ai për çmimin e naftës dhe për ndryshimet në Kodin Penal për tubimet kanë më shumë se 7 muaj të depozituar dhe që as nuk preken me dorë. Ndërkohë që Parlamenti shqyrton në mënyrë të rrufeshme çdo lloj projektligji të qeverisë që i duhet asaj për hajdutëritë që bën apo për t’i bërë shërbim propagandës së ditës, pra projektligje që kanë zero vlerë për qytetarin, iu hapet rruga katër kanatë në Parlament.

Praktikisht mund të thuhet me gojën plot që qeveria ka rrëmbyer e ka marrë peng institucionin themelor të shtetit shqiptar nga ku burojnë të gjitha pushtetet duke mbajtur një qëndrim vërtetë mafioz ndaj Parlamentit të Shqipërisë. 

Kjo situatë ngarkon me përgjegjësi të madhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla që duke e konsideruar veten thjesht dhe vetëm si instrument të qeverisë nuk bën asgjë por është nënshtruar e po përdoret në funksion të pengmarrjes së Parlamentit nga qeveria.

Kjo situatë duhet të marrë fund dhe gjithashtu legjitimon çdo lloj reagimi të qytetarëve të cilët kanë votuar për një Parlament që funksionon që shqyrtojnë projektligjet që kanë lidhje me jetën e tyre dhe që iu mundëson të zgjedhurve nga populli të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!