Ushtria amerikane nuk mund ta furnizojë më Ukrainën me pajisje ushtarake dhe municione moderne, pasi rezervat e saj janë drejt fundit, veçanërisht municionet, sipas zyrtarëve dhe ekspertëve amerikanë.
SHBA ka qenë deri tani donatori më i madh i armëve dhe municioneve për forcat ukrainase që nga fillimi i pushtimit të ushtrisë ruse më 24 shkurt. Uashingtoni ka ofruar ndihmë ushtarake në vlerë prej 16.8 miliardë dollarë për Kievin.
Por rezervat amerikane të disa armëve po arrijnë minimumin dhe do të duhen vite për rimbushjen e stoqeve në nivelet ku ishin para pushtimit rus, vuri në dukje Mark Kancian, një oficer i marinës në pension, aktualisht një analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Industria amerikane e mbrojtjes, ka qenë e detyruar të reduktojë në mënyrë drastike prodhimin në vitet 1990.
Sot, qeveria amerikane po përpiqet të bindë industrinë që të fillojë prodhimin dhe të përshpejtojë prodhimin e pajisjeve si për shembull, raketat kundërajrore Stinger.
Disa nga këto armë janë bërë emblema të luftës për ukrainasit, si për shembull. Javelin, raketa antitank që ata përdorën në fazën e parë të konfliktit për të bllokuar tanket ruse që po përpiqeshin të avanconin drejt Kievit, ose sistemet raketore HIMARS.
/abcnews.al


