Kryeprokurori/Rama apel sërish Bashës

schedule13:36 - 7 Dhjetor, 2017

schedule 13:36 - 7 Dhjetor, 2017

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje sërish liderit demokrat të enjten që të diskutojnë zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm pas përfundimit të mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla. “Lulzim Basha mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë, siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën”, shkroi Rama në Facebook. Thirrja e Ramës erdhi pak kohë pasi Ambasada amerikane dhe delegacioni i BE-së në Tiranë thanë se mbështesin opinionet e OPDAT dhe EURALIUS, sipas të cilëve mandati i kryeprokurorit ka përfunduar dhe Kuvendi duhet të zgjedhë një kryeprokuror të përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Më herët të enjten Komisioni i ligjeve nisi zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë deri në konstituivin e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, i cili do të zgjedhë përfundimisht edhe prokurorin e ri. Nisja e procesit është kundërshtuar ashpër nga Partia Demokratike, e cila thotë se Kryeprokurori duhet të zgjidhet me 84 vota dhe jo 71 nga Kuvendi ose duhet të pritet deri në konstituivin e Këshillit të Lartë të Prokurorëve, institucion i cili do të zgjedhë prokurorin e ri të përgjithshëm./abcnews.al