Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se SHBA-të kanë dashur të godasin Rusinë me armë biologjike që përmbanin koronavirus për të përkeqësuar situatën në vend.
Sipas agjencisë ruse së lajmeve TASS, tha se të dhënat e zbuluara gjatë “operacionit special në Ukrainë” tregojnë se Shtetet e Bashkuara “vendosën në armët biologjike disa përbërës që përmbanin koronavirus për të destabilizuar situatën epidemiologjike në Rusi.
“Ka arsye të mjaftueshme për të besuar se në afërsi të kufijve të Rusisë, në fakt, u krijuan komponentë të armëve biologjike dhe disa përpunuan mekanizma për të destabilizuar situatën epidemiologjike”, theksoi kreu i diplomacisë ruse.
Lavrov theksoi se programet biologjike ushtarake në Ukrainë me mbështetjen e Pentagonit përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë jo vetëm për Rusinë.
“Nuk është rastësi që amerikanët bënë gjithçka që ishte e mundur për të mbuluar gjurmët e eksperimenteve të tyre në territoret tashmë të çliruara”, tha ministri rus, duke iu referuar rajoneve të Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
Ai kujtoi gjithashtu një fjalim të zëvendëssekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland, e cila më parë i ishte referuar rreziqeve të rrjedhjes së informacionit tek ekspertët rusë për aktivitetet e laboratorëve të Pentagonit në Ukrainë.
“Kjo do të thotë se ata kanë diçka për të fshehur”, përfundoi Lavrov.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në bazë të Konventës për Eliminimin e Armëve Biologjike, ne i kemi kërkuar Shteteve të Bashkuara të japin sqarimet e nevojshme dhe, në përgjithësi, të sigurojnë transparencë dhe ligjshmëri të plotë të programeve të saj biologjike në mbarë botën.
Ne presim një përgjigje përkatëse”, shtoi ministri i jashtëm rus.
/abcnews.al