Rusi/Putin zyrtarizon kandidaturën e tij për President

schedule18:46 - 6 Dhjetor, 2017

schedule 18:46 - 6 Dhjetor, 2017

Tashmë është zyrtare dhe Vladimir Putin ka rikandiduar për një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që zhvillohen vitin e ardhshëm. Sipas sondazheve, fitorja e Putin është thjesht një formalitet.

Vladimir Putin ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të Rusisë që zhvillohen në vitin 2018. Këtë njoftim ai e bëri gjatë një fjalimi për punëtorët në një fabrikë automobilësh në Nizhni Novogorod. Putin është në drejtim të vendit, si kryeministër apo si president që nga viti 2000. Nëse do të rizgjidhet, ai do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2024.
Në këto zgjedhje, 65-vjeçari hyn më i sigurtë se kurrë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Putin zotëron mbështetjen e mbi 80% të popullsisë në të githë Rusinë. Në këtë mënyrë, fitorja e këtyre zgjedhjeve do të jetë vetëm një formalitet për të.

Deri më tani kanë zyrtarizuar kandidaturën e tyre për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, mes të tjerësh, gazetarja opozitare Ksenia Sobçak dhe Boris Titov, i cili konsiderohet si sponsorizuesi i Kremlinit për sipërmarrësit dhe eksponent i krahut liberal i politikës ruse. Ndërsa, udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Aleksi Navalni, nuk mund të kandidojë sepse është shpallur fajtor për përvetësim fondesh. Sipas tij, kjo është një akuzë, e cila është e motivuar politikisht.
Ndërkohë, Putini u shfaq fillimisht në zgjedhjet presidenciale në mars të vitit 2000, pasi u emërua në drejtim të Kremlinit në dhjetor të 1999-s nga Boris Jelcin. Pas dy mandatesh si president, numri maksimal që lejohet me Kushtetutën ruse, në 2008 këtë post ia trashëgoi Kryeministrit Dimitri Medvedev, i cili kishte prezantuar reformën e nevojshme për të lejuar një mandat të tretë për presidentin dhe zgjatjen e tij deri në gjashtë vjet. Zgjedhjet e vitit të ardhshëm përkojnë me ditën kur Krimea feston përvjetorin e aneksimit nga Rusia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!