Probleme të shumta në kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjeve të Europianit. Eros Grezda u largua nga grumbullimi, ndërsa përpara tij ka pasur lojtarë të dëmtuar
Vështirë të jetë ndonjëherë i plotë këto kohë.
Trajnerët e Shqipërisë po vuajnë dëmtime të njëpasnjëshme, dhe pas Kristian Panuçit, këtë po e provon edhe Edi Reja.
Eros Grezda ishte lojtari më i fundit i larguar nga grumbullimi, dhe kjo ndodh për arsye personale siç njoftohet zyrtarisht nga Federata.
Në vend të tij, Reja ka thirrur lojtarin e krahut të Partizanit, Lorenc Trashi, i cili ishte edhe në seancat e para stërvitore me trajnerin italian.
Grezda u bë i katërti lojtar që nuk iu përgjigj dot grumbullimit të parë të Rejës.
Përpara tij, u la i lirë Ledian Memushaj i cili nuk e kaloi dot dëmtimin dhe do të duhet të operohet në Itali.
Edhe më keq puna me Egzon Binakun, i cili pësoi lëndim në Norvegji dhe nuk arriti të paraqitej fare në stërvitje me kombëtaren.
Së fundi, mungesë do të jetë edhe një lojtar i përfshirë në listë, 19-vjeçari Marash Kumbulla, dhe kjo sepse ai ka impenjime me klubin e tij, Veronën në Itali.
Më pas, Kumbulla do të bashkohet me ekipin Shpresa të drejtuar nga trajneri Alban Bushi.
Një lojtar i rëndësishëm nuk u bë fare pjesë e listës së Rejës, pikërisht Berat Gjimshiti i Atalantës, i cili u dëmtua gjatë ndeshjeve të Serisë A dhe të Kupës së Italisë.
Me gjithë problemet, kombëtarja mbetet me optimizëm, ndërsa do t’i vazhdojë përgatitjet në Gjermani, në pritje të ndeshjes së 8 qershorit në Islandë për Europianin.
Ekipi niset drejt Frankfurtit në orën 09:00 të mëngjesit të kësaj të diele./ABC News Albania 24/7