Politika në Parlament, PD e ndarë në dy grupe, Boçi në ABC: Do vijojmë betejën për bashkim

schedule20:11 - 5 Shtator, 2022

schedule 20:11 - 5 Shtator, 2022

Ditën e sotme Kuvendi çeli sesionin e ri parlamentar. Por Partia Demokratike vijon të jetë ende e ndarë në dy grupe.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i ftuar në emisionin “Radari Informativ” në Abc, me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se qëllimi është që të krijohet një grup parlamentar solid.

Sipas Boçit, qëllimi i mazhorancës është që opozita të vijojë të jetë e përçarë, por kjo e fundit do vijojë betejën dhe përpjekjet për bashkim, pa përjashtuar askënd.

Boçi: Qëllimi është të kemi një grup parlamentar solid.

Xhokaxhi: Çfarë do të ndodhë nëse Alibeaj nuk tërhiqet?

Boçi: Ajo që duhet të ndodhë është respektimi i një vendimi gjykate. Gjykata njeh ndryshimet e kuvendit të datës 11 (i mbajtur në Air Albania dhe i thirrur nga Sali Berisha).

Xhokaxhi: Si do të funksionojë nëse Parlamenti nuk ju njeh?

Boçi: Parlamenti kontrollohet nga mazhoranca, kjo e fundit do të mbajë të përçarë PD dhe opozitën dhe do vijojë me lojëra të tilla, njohje, mos njohje. Ne do vazhdojmë betejën tonë dhe përpjekjet pa përjashtuar askënd për bashkimin e Grupit Parlamentar. Ajo që do ofrojmë është seriozitet. Ne kemi përballë një betejë politike shumë të rëndësishme.

Xhokaxhi: Si do arrini të bëni bashkimin e Grupit Parlamentar? Nëse ky bashkim nuk bëhet, rreziko PD të humbasë vota në Parlament?

Boçi: Lufta në Parlament dhe ajo platforma (Platforma e prezantuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkim) e bërtitur aq fort është një luftë politike nuk ka rezultat dhe është për t’i hedhur hi syve opinionit publik. Ato platforma janë vetëm një aspekt i luftës politike. Lufta e vërtetë është lufta ballore që bëhet në organizimin e aksionit politik të brendshëm. Lufta bëhet në terren, me njerëzit.

Xhokaxhi: Lufta parlamentare ku duhet të përqendrohet?

Boçi: Ka pika që kanë të bëjnë me keq-menaxhimin e qeverisë, korrupsionin, pika që kanë të bëjnë me sjelljen e kryeministrit. Nuk mund të thuash qëllimi ynë kryesor është reforma territoriale kur nuk i ke votat dhe të ndodhë si me Presidentin “na i futi Rama”. Ai i ka të gjithë elementët për të bërë reformën që do.

Xhokaxhi: A keni ju një platformë?

Boçi: Shtyllat tona kryesore janë zbuluar në gjithë takimet reale dhe të prekshme që kryetari i PD-së ka bërë me grupet e interesit. Politika në fund është prekje e problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve. Të gjitha problemet janë marrë dhe janë pjesë e platformës tonë politike. Do mblidhet kryesia e PD dhe do vendosë datën e protestës së parë. Çadër nuk do ketë, por do ketë protesta.

/Abcnews.al/