Komisioni i reformës administrativo-territoriale ka zhvilluar një tur në qarqet e vendit, ku më pas PS dhe PD do të duhet të dalin me variantet e tyre mbi ndarjen territoriale dhe pritet të shihet nëse kjo reformë do të jetë konsensuale.
Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Luçiano Boçio tha për ABC News, se njëri variant i opozitës, është ndarja e re territoriale me 100 bashki.
Sipas Boçit, ky variant përcakton bashkitë, sipas largësisë nga qendra, dhe të numrit të banorëve. Boçi shtoi se duhet të rritet roli i nivelit të dytë të pushtetit vendor.
“Dëgjesat kanë ecur mirë në pikëpamjen time, kemi marrë atë çka kemi pritur, një reagim të kërkesës dhe dëshirës së qytetarëve për të rritur numrin e bashkive, për të afruar shërbimet, për të pasur përfaqësi, por edhe kërkesa nga përfaqësues aktual të pushtetit vendor, që duan funksione të përcaktuara dhe mjete për realizimin e funksioneve. E rëndësishme është që prevalojnë kërkesat pikërisht ato kërkesa që janë në përputhje me qëndrimin politik të PD, në raport me reformën territoriale. Të kemi ndarje të re territoriale, për të rritur numrin e bashkive. Ka variante, janë të konsultuar edhe me drejtues politik, për ndarje territoriale.
Variantet prevalojnë nga rritja absolute e numrit të bashkive, që është rreth 100, ky është varianti që përcakton bashkitë, sipas largësisë nga qendra, dhe të numrit të banorëve. Standardi i largësisë është 25 ose 20 kilometra nga qendra, dhe numri i banorëve, sipas standardeve të BE, minimumi, 6 mijë banorë për njësi bashkiake. Kjo është kërkesa më e frekuentuar, ose më e kërkuar. Nëse nuk realizohet kjo, të ketë rritje të numrit të bashkive, në një masë optimale dhe të rritet e forcohet roli i qarqeve, duhet të pajisen me kompetenca, duhet të kalojnë edhe nëpërmjet proceseve zgjedhore, të ketë këshillin e vet dhe të mbulojë ato kompetenca, që një bashki e vogël rurale nuk mund t’i realizojë dot dhe të garantojë njëkohësisht ndërveprimin bashkiak, që plotësojnë njëra-tjetrën edhe në kompetenca, por edhe në funksionalitetin e tyre. Varianti tjetër, lidhet me propozimin tonë për rajonet, duke rritur përsëri numrin e bashkive, në një numër optimal, të kemi 8 qarqe”, theksoi ai./abcnews.al


