Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të çmimit të naftës, benzinës dhe gazit.
Lajmi është bërë i ditur nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh se Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me çmimin më të lartë të hidrokarbureve.
“Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me cmimin më të lartë të hidrokarbureve. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të taksave, mungesës së reagimit nga Qeveria, por edhe për faktin se Shqipëria është nga të vetmet vende ku cmimi i naftës, benzinës apo gazit, paracaktohet nga Klubi i Oligarkëve, që qeveria e ka emërtuar si Bordin e kontrollit të cmimeve. Gjatë gjithë këtyre muajve, Klubi i Oligarkëve jo vetëm nuk ka mbajtur nën kontroll cmimet e naftës, benzinës apo gazit, por ka shërbyer si një mekanizëm korruptiv për të deformuar tregun në dëm të interesit të qytetarëve. Për këtë arsye, dua të informoj opinionin publik se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të cmimit të naftës, benzinës dhe gazit.” tha Alibeaj.
/abcnews.al/