Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka prezantuar në Aquila zhvillimin e Tiranës në programin IPA- Adriatic. Ai ka theksuar se kryeqyteti është kthyer në një partner të besuar të Bashkimit Europian sa i përket zbatimit të fondeve, ndaj edhe shtriu dorën për më shumë.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka zhvilluar një vizitë dyditore në rajonin e Abruzzos, ku mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të programit të bashkëpunimit ndërkufitar “IPA Adriatic” për periudhën 2007-2013 që u mbajt në Aquila.
Në prani të kryetarit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani dhe përfaqësues të delegacioneve nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në program, Kryebashkiaku Veliaj tha se sot Tirana vlerësohet si partner i besuar dhe cilësor në zbatimin e fondeve IPA dhe të fondeve të Bashkimit Europian, ndaj dhe shtriu dorën për më shumë.
“Mezi pres që të sjellim edhe më shumë fonde të huaja në Tiranë, kryesisht për të përdorur të gjithë instrumentet IPA, të paraanëtarësimit në BE, për t’u siguruar që Tirana është gjithmonë avangardë. Duhet ta pranojmë se ambicia jonë është shumë më e madhe se sa buxhetet modeste që kemi në Shqipëri”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se buxheti i vitit 2018 do të mbështesë kryesisht investimet në zonat periferike të Tiranës, si dhe zhvillimin e infrastrukturës në zonat rurale.
“Do të vazhdojmë këtë vit me një buxhet i cili është 15% më i lartë se buxheti i vitit të kaluar. Kemi bërë një listë prioritetesh të të gjithë rrugëve, investimeve, infrastrukturës, dhe po i ndajmë çfarë do të aplikojmë me fondet e BE dhe çfarë do të mbulojmë me fondet tona”.
Ai gjithashtu theksoi se vizita në Abruzzo ishte një mundësi shumë e mirë edhe për të përfituar nga eksperienca në menaxhimin dhe përballimin e disa fatkeqësive natyrore që goditën këtë rajon gjatë viteve të fundit./abcnews.al
https://youtu.be/2gKewfJ4mN0