Ndërsa opozita kërkon shtyrje të datës së zgjedhjeve, kryeministri bën të ditur se do shtyjë datën e hapjes së fushatës zgjedhore vendore. Ajo do jetë më 1 Qershor, për të shmangur 31 Majin, datën e protestës së rradhës së opozitës. Në një letër të pestë publike për Lulzim Bashën, Rama përsërit ftesën për dialog, duke nënvizuar se data e zgjedhjeve nuk shtyhet.
E nis me përgëzime letrën e pestë publike kryeministri Edi Rama drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Sepse pavarësisht bojëhedhjes mbi mure që e keni cen fiziologjik si parti, kalimi nga kapsollat e molotovët, tek balonat dhe dritat e celularëve ishte një hap domethënës mbrapa!”
Kaq është mendimi i tij pozitiv për protestën e opozitës së bashkuar në 25 maj. Teksa hedh vështrimin tek pjesëmarrja sheh se karvani po firon pak e nga pak, ashtu sic po firojnë edhe shanset e dialogut midis tyre- shkruan kryeministri në facebook.
“Koha e mbetur drejt ditënisjes zyrtare të fushatës së 30 qershorit po tretet me shpejtësi, e bashkë me të po jep shpirt të them të drejtën edhe shpresa ime e vobektë, se në dyllin e veshëve Tuaj mund të hapet një vrimë”.
Sidoqoftë shpresa vdes e fundit- e vazhdon letrën e tij kryetari I qeverisë drejtuar kundërshtarit politik, duke i lënë edhe një ftesë tjetër në sirtar.
“Ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë, të shëmtuar e dëmtore për vendin tonë të përbashkët”.
I thotë se asgjë nuk kanë arritur me këto protesta, as qeverinë e parlamentin nuk e kanë ndalur të funksionojnë normalisht. Madje as kërkesën për të larguar kryeministrin nuk kanë mundur ta realizojnë.
“A mos vallë më keni larguar mua dot?
Po, kjo po, më keni larguar mbrëmë me balonat që merrnin me vete në qiell parrullën e lodhur “Rama ik”, nën tingujt ëngjëllorë të vuvuzelëve të paqes, teksa pllaka e gramafonit Tuaj rilajmëronte fundin e afërt të tiranisë me përkrahjen mbarëbotërore për largimin tim drejt qiellit, kurse fallxhorja Juaj i rrëfente popullit se në një filxhan amerikan ishte iluminuar mbi dhunën, që Zoti e dënon si shembëlltyrë të Djallit!”
Për t’i rënë shkurt, në letrën e pestë nënvizon rëndësinë që ka ulja për të dialoguar. Në të kundërt i thotë të vazhdojnë të hedhin balona se edhe mazhoranca do të vazhdojë të merret me përgatitjet e zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat nuk i shtyn dot askush- thekson kryetari qeverisë.
“Mos mendoni Ju lutem për asnjë moment se 30 qershori nuk do të vijë apo do të kalojë pa zgjedhje. Një dritëshkurtësi e tillë mund t’i lejohet udhëheqësit Tuaj të currufjasur.
“Po kjo s’ka si t’Ju falet Juve që të nesërmen e 30 qershorit, do të gjykoheni nga ndjekësit Tuaj për se si ka mundësi, që i dorëzuat pa betejë elektorale tërë bashkitë e Shqipërisë!”
Duke e këshilluar t’i lexojë mirë mesazhet e ndërkombëtareve I kërkon gjithashtu që të mos e flakë tutje mundësinë e vogël për dialog. Letrën e mbyll duke shënuar vetëm emrin e tij.
Me një shënim e njofton se ka vendosur të mos përplës hapjen e fushtës elektorale me protestën e e opozitës në 31 maj.
“Post Scriptum: Meqë lajmëruat grumbullimin e radhës në 31 maj, shtabi ynë elektoral vendosi ta spostojë në 1 qershor mitingun e çeljes zyrtare të fushatës – kollaj, nuk ishte një datë si ajo zgjedhjeve që s’e kemi ne në dorë”. /ABC News Albgania 24/7