Duel i dy prej yjeve më të mirë të NBA-së në Boston

schedule14:41 - 5 Dhjetor, 2017

schedule 14:41 - 5 Dhjetor, 2017

Një duel i nivelit më të lartë të mundshëm u zhvillua në basketbollin amerikan. Kajri Irving shkëlqeu sërish për Bostonin duke siguruar fitoren e radhës.

Padyshim janë dy nga më të mirët që mund të ofrojë kjo ligë.

Basketbolli amerikan është me fat që Kajri Irving dhe Janis Antetokumpo shkëlqejnë me paraqitjet e tyre nëpër Arenat e NBA-së, siç ndodhi edhe mbrëmjen e fundit.

Udhëheqësit e skuadrave të tyre u ndodhën përballë në Boston dhe nuk zhgënjyen as 20 000 spektatorët në sallë dhe as miliona teleshikues në të gjithë botën.

Antetokumpo i Miluokit doli lojtari më i mirë në parket, me 40 pikë të shënuara në 39 minuta, me 9 topa të kapur në tabela dhe 4 asistë.

Sidoqoftë, duelin ekipor e fitoi Irving i vendasve.

Boston Sëlltiks triumfoi ndaj Miluokit me shifrat 111-110, pas një përballjeje të fortë, ku kapiteni i ri e tregoi sërish veten.

Irving realizoi 32 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu 1 asist dhe i vodhi dy topa kundërshtarëve.

Ish-krahu i djathtë i Lebron Xhejmsit, sidoqoftë, u ndihmua nga shokët e skuadrës, pasi Horford shënoi 20 pikë dhe Tatëm 17, ndërsa Bostoni dominoi ndaj kundërshtarit në tabela dhe në pasimet për kosh.

Kjo ishte fitorja e 21-të për Sëlltiksat, që kryesojnë Konferencën Lindore si dhe krejt renditjen e NBA-së.

Ishte një sukses I rëndësishëm po ashtu, sepse rivalët kryesorë të Bostonit, Klivlendi, Golden Stejti apo San Antonio, fituan që të gjithë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!