Studentët i janë rikthyer protestave. Për një orë, para godinës së Ministrisë së Arsimit ata paraqitën 5 kërkesa të reja, që sipas tyre nuk janë plotësuar nga Pakti për Universitetin. Sende të forta dhe flakadanë u hodhën drejt godinës, duke i lënë afat 24 orë qeverisë për një përgjigje.
I tillë ishte rikthimi i studentëve në protestë që pas fundit të muajit janar para Ministrisë së Arsimit.
Edhe pse ishte thirrur një protestë kombëtare, të pranishëm ishin vetëm studentët e universiteteve të Tiranës me pankarta dhe flakadanë në duar.
Studentët gjatë së mërkurës kanë publikuar kërkesat e tyre zyrtare, ku spikasin edhe 5 kërkesa të reja në krahasim me ato të fundvitit:
-Rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë
-Arsim cilësor për të gjithë të rinjtë, duke i mundësuar mbështetjen financiare
-Rankimi i programeve sipas modeleve më të mira bashkëkohore
-Rritja e peshës së përfaqësimit në institucionet e arsimit të lartë
-Autonomi reale e IAL-ëve dhe jo e diktuar nga bordet qeveritare
Ata pohuan se “Pakti për universitetin” nuk i ka plotësuar kërkesat e tyre dhe se u rikthyen për të fituar të drejtat e tyre, duke i lënë qeverisë afat 24 orë kohë për t’u përgjigjur.
“Sot jemi mbledhur pasi pakti për universitetin nuk u zbatua. pakti ishte pjesor, por edhe ai qe u bë nuk u zbatua as 10 % e pikave. Protesta do vazhdojë të zgjatet dita ditës”, u shprehen disa prej tyre.
Por protestës nuk iu bashkuan te gjitha fakultetet e Universitetit të Tiranës.
Ne fakultetet e ekonomisë, gjuhet e huaja dhe Histori-Filologji në salla dhe auditorë mësimi vijoi si ditët e tjera.
Jashtë kamerës studentët shprehen se nuk kanë arsye t’i bashkohen protestës, pasi duan të ndjekin rregullisht leksionet e seminaret për të përfunduar më së miri provimet e këtij viti shkollor./ABC News Albania 24/7