Championsi pati dy kampionë të rinj në sportin e rrjetës. Italia triumfoi në garën për meshkuj dhe për femra, ndërsa medaljen e artë e mori edhe shqiptarja Erblira Bici.
Më në fund, volejbolli italian u kthye në “çatinë” e Europës. Të kaltrit, këtë herë me klubet, fituan Ligën e Kampionëve, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, dhe në skuadrën fituese të vajzave ishte edhe lojtarja shqiptare, Erblira Bici.
Për meshkuj, Lube Çivitanova realizoi një mrekulli, duke mundur skuadrën ruse, Zenit të Kazanjit, katër herë radhazi kampione e Europës, 5 herë në 7 sezonet e fundit.
Italianët e trajnerit De Xhorxhi morën revanshin e vjetshëm, dhe merituan gjithçka ndaj “korracatës” ruse, duke fituar 3-1 me sete (16-25, 25-15, 25-12, 25-19).
Ishin plot 9 200 spektatorë në Arenën “Maks Shmeling” të Berlinit. Huantorena, Sokolov dhe Leal ishin më të mirët për Luben, ndërsa rusët e trajnerit Alekno nuk ishin ata të dikurshmit, e jo më kot humbën edhe kampionatin rus ndaj Kemerovos.
Rusia mbeti pa Champions për meshkuj, për herë të parë që nga viti 2011.
Tek femrat ishte një finale tërësisht italiane, dhe nënkampionia e Italisë, Novara, mundi kampionen në fuqi të vendit, Konelianon.
Për Novarën luan edhe volejbollistja e kombëtares shqiptare, Erblira Bici, e cila nuk pati rol të madh, por mjafton fakti që luan për kampionen e Europës.
Françeska Piçinini fitoi Championsin e 7-të në karrierë, ndërsa ndeshja, po në “Maks Shmeling” të Berlinit në përfundoi 3-1 (25-18, 25-17, 14-25, 25-22).
Italianët mund të thuhet se janë rikthyer, ndërsa për shumë vite volejbolli i meshkujve është dominuar nga Rusia, ndërsa ai i femrave nga Turqia. /ABC News Albania 24/7