Klubi i Llapit nuk i shpëton dënimit, Komisioni Disiplinor i UEFA-s me “dorë të hekurt”

schedule21:17 - 27 Korrik, 2022

schedule 21:17 - 27 Korrik, 2022

Pas ndëshkimit të Buducnostit, Komisioni Disiplinor i UEFA-s vendosi sanksione edhe ndaj Llapit të Kosovës, për shkak të incidenteve në ndeshjen e kthimit të xhiros së parë të kualifikimeve për Conference League, e cila u luajt në Prishtinë më 14 korrik.

Dhe dënimi është më i rëndë se për klubin nga Podgorica.

Llapi ndeshjen e radhës europiane do ta luajë përballë tribunave të zbrazëta dhe do të luajë një tjetër ndeshje pa publik nëse incidentet do të përsëriten në dy vitet e ardhshme.

Edhe klubi nga Podujeva është dënuar me 50 mijë euro gjobë.

Në shpjegimin e dënimit thuhet se ai është sanksionuar për shkak të “sjelljes raciste të tifozëve, hyrjes së tifozëve në fushë, hedhjes së sendeve dhe pishtarëve dhe mesazheve provokuese”.

Gjatë ndeshjes, tifozët e Llapit mbanin një pankartë në të cilën ishte ndarë harta e Malit të Zi, me mesazhin: “Ti je i radhës”.

Javën e kaluar, Buducnost u gjobit me mbylljen e tribunës veriore dhe një shumë prej 35.375 euro, për shkak të “sjelljes raciste të tifozëve dhe hedhjes së sendeve në fushë” në ndeshjen e parë me Llapin.

Në duelin me skuadrën nga Kosova, “Barbarët” kanë shfaqur një pankartë fyese ndaj mysafirëve, si dhe janë raportuar edhe ofendime për baza kombëtare dhe racore.

Buducnost kaloi në raundin tjetër, fitoi 2:0 në Podgoricë, ndërsa ndeshja e dytë përfundoi 2:2./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!