Devizën e çdo komunikimi të 61 kandidatëve të dalë nga Partia Socialiste për garën elektorale të 30 qershorit me qytetarët në zonat përkatëse, ja u artikuloi vetë kryeministri Edi Rama.
“Zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 qershor, është datë e përcaktuar sipas kushtetuës për të dëgjuar popullin Sovran mbi vlerësimin e ofertave elektorale në 61 bashkitë e vendit”, tha kryeministri.
Edhe pse ne shumicën dërrmuese të bashkive në vend oferta do të jetë vetëm një, kjo nuk shqetëson kreun e qeverisë.
“Mungesa e kandidatëve nuk janë simptoma të një procesi të shëndetshëm demokratik, po ne as mund të zbrazim tonën që të mbushim të tyren e as të bojkotojmë që mos i lëmë vetëm, a thua se zgjedhjet janë kinema ku nuk shkohet i pashoqëruar”, shtoi ai.
Mos regjistrimi i partive të opozitës në zgjedhjet elektorale duhet të shënojë fundin politik të tyre, sipas kreut të socialistëve.
“Spiralja e marrosjes së udhëheqjes së opozitës së sotme ka prekur fundin dhe 30 qershori duhet ta sanksionojë këtë fund, por dhe do të ngordhë politika e pengmarrjes së procesit demokratik”, tha Rama.
Nga e njëjta godinë ku dy vjet më parë dialogoi me kreun e demokratëve Lulzim Basha për marrëveshjen e 17 majit, identifikoi arsyen pse sipas tij ajo marrëveshje nuk funksionoi e nuk mund të përsëritet më.
“Dëgjoni këtë që po ju them, ajo marrëveshje nuk funksionoi dhe nuk do funksionojë sepse PD ka ndërruar qimen por jo zakonin, Lulzim Basha imagjinon të paimagjinueshmen, dhe shpirti i asaj partie është doktori jo kryetari i llakuar”.
Por kryeminsitri e pasi përsëriti sërish gatishmërinë për tu ulur me kreun e demokratëve.
“Jam i gatshëm të ulem me Lulzim Bashën në çdo moment dhe ti ofroj gjithçka, kushte nuk kam”, tha ai.
Rama pati edhe një paralajmërim.
“Gjithkush që nuk e sheh të udhës mos votojë le të mos votojë, por ata që janë turbull duhet të dinë se kush i afrohet një qendre votimi djeg veten jo zgjedhjet, kodi penal është ashpërsuar dhe jo nuk ja vlen për politikën që të nxit të shkosh në burg por që mund të të fusë në listën e zezë të krimeve zgjedhore e që do i hiqet e drejta për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri.
Qëllim kryesor i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit nuk është pjesëmarrja e lartë në votime, deklaroi kryeministri, por qetësia dhe normaliteti në ditën e zgjedhjeve./ABC News Albania 24/7