Zyrtarët ruse po përgatiten të mbajnë referendume në zonat e kontrolluara nga forcat ruse gjatë javëve të ardhshme. Qëllimi është të zhvillohen referendume deri më 15 shtator për aneksimin e tyre. shkruan Bloomberg, duke cituar persona të afërt të Putinit.
Projekti është ndërmarrë nga zëvendës shefi i kabinetit të Kremlinit, Sergei Kiriyenko, i cili është sanksionuar nga SHBA dhe BE dhe i cili shpesh ka vizituar territoret e pushtuara të Ukrainës për të mbikëqyrur përgatitjet, me fokus rajonet Donetsk dhe Luhansk, domethënë në Donbass por edhe në rajonet jugore të Kherson dhe Zaporizhia.
“Vendimi është i tyre”, tha Kremlini.
Kremlini ka mohuar publikisht se po planifikon referendume në territoret e pushtuara. “Vendimet për fatin e ardhshëm të këtyre njerëzve janë në duart e tyre”, tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov.
“Do të jetë vendimi i tyre nëse do të mbajnë referendume.”
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të mërkurën se objektivat e “operacionit special ushtarak” nga forcat e Putinit do të shtriheshin përtej Donbasit. Për këtë ai fajësoi, furnizimin e Ukrainës me armë nga Perëndimi.
Këto territore janë “qëllimet kryesore” të Putinit, sipas Tatyana Stanovaya, e cila beson se presidenti rus ende po kërkon kapitullimin e Ukrainës në kuadrin e një konfrontimi më të gjerë me Perëndimin, raporton abcnews.al.
Planet e Kremlinit mund të sinjalizojnë një intensifikim të operacioneve gjatë verës, pasi Rusia kërkon të konsolidojë kontrollin mbi territoret e pushtuara dhe të lërë pak hapësirë për bisedimet e paqes.
Nëse Rusia vazhdon me aneksimin, ajo do të kontrollojë një të pestën e territorit të Ukrainës, duke krijuar një “urë” tokësore me Krimenë dhe duke kërcënuar të rrethojë portet e rëndësishme të Ukrainës që përdoren për eksportet e grurit.
/abcnews.al