“Kë njihni, Berishën apo Alibeajn?” Si përgjigjet eurodeputeti gjerman

schedule09:27 - 14 Korrik, 2022

schedule 09:27 - 14 Korrik, 2022

Deputeti i Bundestagut gjerman është pyetur paraditen e së enjtes gjatë konferencë për mediat nëse njeh Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike apo Enkelejd Alibeajn.

Adis Ahmetoviç u shpreh se nuk mund të komentojë çdo gjë që ndodh në vend me politikat e brendshme, por ajo që ai theksoi ishte fakti që Gjermani mbështet pozicionin e qeverisë shqiptare sa i përket agjendës së politikës së jashtme dhe integrimit të vendit.

“Unë nuk mund të komentoj gjithçka që ndodh në politikën e brendshme. E thashë shumë qartë pozicioni i qeverisë dhe i shumicës në parlamentin shqiptar është i duhuri…Ju po luftoni vit pas viti për të hedhur hapat e mëtejshëm për t’u bërë pjesë e BE. Por iu desh të prisni sërish, megjithatë Shqipëria nuk ndali së punuari për këtë ide të BE, kështu që qeveria, partitë politike në parlament kanë mbështetjen tonë të plotë për këtë agjendë.”

Kurse, i pyetur nëse e mbështet si ide ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nëse kjo e fundit nuk arrin që të zgjidhë ngërçin me Bullgarinë, eurodeputeti gjerman u shpreh se duke marrë parasysh kohën në të cilën jetojnë, dy vendeve u leverdis më shumë që të ecin së bashku.

Sipas tij, primare në këtë moment është që të promovohet sa më shumë propozimi francez në mënyrë që t’i hapet edhe rruga proceseve të mëtejshme euro-integruese.

“Duam shohim që Shqipëria dhe RMV ta shohim në të njëjtën kohë në këtë proces. Të dyja vendet e meritojnë këtë hap. Ata kanë bërë shumë punë, ndryshuan emrin e vendit pa konflikte, e njohim situatën në Ballkan, për gjuhën, identitetin, çështjet fetare. Franca ka arritur të bëjë përpjekje për një zgjidhje. Kështu që le të promovojmë këtë zgjidhje, kemi një javë kohë të bindim parlamentit për këtë zgjidhje. Në këtë situatë mjaft të vështirë e botën, gjëja më e mirë është që dy vendet të ecin së bashku në këtë drejtim.”

Eurodeputeti Adis Ahmetoviç nuk i kurseu kritikat për politikat e zgjerimit të ndjekura në 30 vitet e fundit nga Bashkimi Evropian. Ai u shpreh se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor prej vitesh tashmë i bëjnë detyrat e tyre dhe tashmë ka ardhur koha, shtoi ai, që Unioni të bëjë detyrat e tij.

Ai solli në vëmendje se pushtimi i Ukrainës ka sjellë një tjetër perspektive dhe për këtë arsye ndoshta është koha që BE të “reflektojë.” Ahmetoviç tha se protestat në Maqedoninë e Veriut po mbështeten nga Moska ndërsa shtoi se nuk do të ishte habi që Vladimir Putin të ketë si synim të ndryshojë regjimin në këtë vend.

“…Në 20 vite BE ka bërë shumë gabime në rajon. Keni një familje dhe doni të bëni pjesë dikë dhe kërkoni ta promovoni, ai është gati dhe pastaj ju e shtyni, pas. Vit pas viti. Vendet e rajonit kanë vite që punojnë dhe nuk kanë qenë partnerë të barabartë. Pushtimi rus hapi disa dyer të reja, disa shtete në BE kanë kuptuar që ndoshta nuk kanë bërë gjënë e duhur për vendet. Këto vende po i bëjnë detyrat e tyre dhe ne duhet të bëjmë detyrat tona. Demostratat në RMV mbështeten nga Moska, putin mund të dojë edhe të çojë në ndryshim regjimi në RMV. Janë shumë të rëndësishme këto kohë të reja, që të mos kemi këto mendësitë tipike të BE. Po kemi kushte për të qenë anëtarë, por duhet të jemi më fleksibël dhe më dinamikë. Na duhet të reformojmë politikën e jashtme të BE.”  /abcnews.al/