Vazhdojnë bombardimet ruse në Donetsk, SHBA ofron 400 milionë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën

schedule09:53 - 9 Korrik, 2022

schedule 09:53 - 9 Korrik, 2022

Pas katër muaj e gjysmë lufte në Ukrainë, ushtria ruse vazhdon bombardimet e saj “të pamëshirshme” në Donetsk, ndërsa SHBA-ja u zotua se do t’i ofrojë ndihmë të re ushtarake Kievit.

“E gjithë vija e frontit po bombardohet pa pushim,” tha mbrëmë guvernatori i Donetsk Pavlo Kirilenko. “Ata nuk ndalojnë së bombarduari Donetsk, Bakhmut, Sloviansk, Kramatorsk,” shkroi ai në Telegram.

Kirilenko tha se gjashtë persona janë vrarë dhe 21 janë plagosur në 24 orët e fundit nga bombardimet në zonë. Sipas tij, ushtria ruse “ka filluar të rigrupohet dhe po përgatitet për operacione të reja në Sloviansk, Kramatorsk dhe Bakhmut”.

Në rajonin e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, katër persona u vranë dhe nëntë u plagosën në 24 orët e fundit, tha guvernatori Oleg Sinegubov. Ndërkohë, zëvendëskryeministrja ukrainase Irina Vereshchuk u bëri thirrje civilëve në rajonet e pushtuara nga Rusia të Kherson dhe Zaporizhia që të evakuohen.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi dje zonat në front dhe pranë tij, si dhe një spital në Dnipro ku po marrin trajtim ushtarët e plagosur. Ai gjithashtu vizitoi linjat e mbrojtjes në Dnipropetrovsk dhe Kryvyi Rih.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha gjithashtu se ndihma e re ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën – e cila përfshin katër sisteme raketore Himars dhe predha 155 milimetra do të përmirësojë aftësinë e ushtrisë ukrainase për të shënjestruar depot e armëve dhe linjat ruse të furnizimit.

Në total, Uashingtoni ka ofruar deri më tani 6.9 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin që nga fillimi i pushtimit rus.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!