Në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ishin të ftuar Eri Muhaj, Flora Xhemani Baba, Neda Karafili dhe Albina Ruko të cilët biseduan për punësimin sezonal.
Albina e cila prej vitesh punon kamariere tha se punëtorët e sektorit të shërbimit trajtohen si punëtorë të rëndomtë, ndërkohë që kërkohet që të kenë kriter gjuhët e huaja. Orari i gjatë dhe paga janë dy pikat e vështirësisë që hasin në këtë sektor.
“Orari… Paguhesh jo për 8 orarësh por për 12 orë pune. Dhe kjo ndodh rëndom sidomos në jug të Shqipërisë ke pafund që punojnë më shumë se 12 orë pune për një pagë 400 mijë lekë”.
Eri Muhaj gjatë bisedës në studio tha se në të dyja bizneset që ka Tiranë dhe Dhërmi vuan nga mungesa e stafit. Madje theksoi që edhe kur i kualifikojnë, largohen nga puna.
“Dembelizmi është i theksuar. Kam pasur raste që e merr, investon dhe më thotë pas disa muajsh që do iki në Gjermani”.
Neda pohoi se punët sezonale duhet të shihen nga rinjtë si mundësi e mirë eksperience.
“E ndjej dhe unë një mungesë dashurie ndaj punës. Unë besoj që është një mentalitet i trashëguar, duke qenë se për shumë vite kemi qenë në tranzicion. Sot jetojmë në një situatë ku të rinjtë shqiptarë shohin nga njëra që nese lodhen, investohen, studiojnë dhe punojnë kanë disa para në fund të muajit, por ndërkohë një shok e shoqe e klasës, vetëm nga rrethanat e jetës – pa u futur se si i ka bërë familja parat – ka kushte shumë të mira. Dhe nëse i krahasojmë me njëri-tjetrin dhe preferojnë këtë shortcut dhe i bien shkurt”.
Ajo shtoi se hotelet janë duke u mbyllur për shkak të mungesës së burimeve njerëzore, por e vuri theksin tek kontratat e punësimit që duhet të jenë funksionale.
Flora Xhemani Baba pohoi se në jug ndodh që ka biznese të mëdha që kanë forcë punëtorë më shumë se familjarët, por ka edhe biznese të vogla të cilët kanë punëtorë familjen. Sipas saj, sot nuk ka më pagesa në të zezë për shkak të kontrollit, ndërkohë që një pagë pastrueseje deri 800 mijë lekë.
“Pikërisht për shkak të mungesës së stafit solli që vjet psh. në jug puna e një sanitareje shkoi deri 600-800 mijë lekë të vjetra dhe nuk kishte. Në Llogara kishte struktura që nuk kishin sanitare qoftë dhe me 800 mijë lekë, me të gjitha të paguara”./abcnews.al