Në orën 07.00 të pasdites është parashikuar që të nisë protesta e thirrur nga Partia Demokratike nën sloganin “Shqipëria në rrezik! Mos thuaj: Ç’më duhet mua?”
Prej ditësh tashmë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, si dhe deputetë e anëtarë të PD u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh për të protestuar kundër qeverisë, sidomos pas situatës të krijuar me çmimet dhe krizën energjitike.
Protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë ndëra PD ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës nga ora 19:00 deri në 21:00. Sa i përket rrugëve, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet duke nisur nga ora 16:00.
21:11-“Të hapen negociatat”, Berisha mbyll fjalën në protestë me thirrje ndaj BE-së
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbyllur fjalën e tij në protestë e thirrur përpara Kryeministrisë. Berisha zgjodhi ta mbyllë fjalimin me një thirrje për BE-në, ku kërkoi që të hapë negociatat me Shqipërinë.
“Miqtë e mi, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demon i pushtetit, kryehajduti i Evropës”, tha ish-kryeministri.
“Të dashur qytetarë, politika e jashtme si rregull nuk është çështje e mitingjeve dhe protestave, pro kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe sherret e tij, kur ai shndërrohet në vasal të Vucic, kur ai rrethon Kosovën, nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rri pa i thënë: Edi Rama populli opozitar shqiptar patriot kudo që janë, do t’i thonë “Jo” “Ballkanit të Hapur”, “Jo” Ballkanit të Beogradit, “Jo” Ballkanit të Putinit, do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit, rrugës sonë drejt Evropës.
Ju ftoj të brohorasim e duam Shqipërinë të bukur e dheut, si Shqipëria vend nuk ka. Rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike nisi në orën 19:00 dhe përfundoi në orën 19:00 me fjalën e ish-kryeministrit. Protesta nuk pati incidente, ndërsa mbështetësit demokratë u mblodhën për të kërkuar largimin e Edi Ramës.
Një pjesë të mirë të fjalimit të tij në protestën e 7 korrikut kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ia ka “kushtuar” kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ndodhej në Vlorë ku u hap për qarkullim Bypass-i i ri.
Ndër të tjera, lideri historik i demokratëve e akuzoi kryeministrin për vota të vjedhura ndërsa e cilësoi si armik të fjalës së lirë. Berisha i bëri po ashtu thirrje Bashkimit Evropian që të hapë negociatat me Shqipërinë dhe të mos ndëshkojnë, siç tha ai, shqiptarët për faj të Edi Ramës.
Po ashtu, ish-kryeministri paralajmëroi se protesta e sotme është vetëm fillimi “i marshit të lirisë.”
“Unë kam një fjalë…Edi Rama, jemi sot këtu për t’u betuar për këtë flamur, para flamurit të kombit se votën kurrë nuk ta falin, pushtetin mbi votën e vjedhur, kurrë nuk ta njohim. Mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë. Të bëjmë çdo sakrificë që të votohet me dinjitet e liri. Edi Rama, ti këto kohë, këto vite je treguar armik i fjalës së lirë.
U flet me gjuhë të padenjë gazetarëve vetëm se ata bëjnë punën e tyre. Fjala e lirë do të jetë motoja jonë. Ata që guxojnë ta prekin do të mjerohen. Në këtë shesh, të cilësuan hajdut, vjedhës, po e vërteta është se nuk do të doja të flisja për hajdutë e vjedhës, por më thuaj pak zotrote çfarë mund të të them unë ty, kur sarajet e Surrelit i ndërtove kur kishte 2-3 mijë euro të deklaruara. Një herë thua i kam para emigracione, para të nxjerra nga “Kurbani”. Çdo qindrakë e tyre është hajni. Ti me firmat e tua s’i ke gjë dhjetëshet, ti luan me qindra miliona.
Këto ditë doli se nga 60 mln euro për djegësin e Tiranës, nuk është ndërtuar asgjë, paratë kanë përfunduar në konto pensionistësh. Boll vodhe, ik. Shqipëria është në rrezik. Edi Rama ka një urrejtje gjenetike ndaj shqiptarëve sepse i përket atij soji që vriste, ekzekutonte, qytetarët shqiptarë dhe s’e e dinte se ata të shtypur i urrenin për vdekje bllokmenë hoxhistë. Do t’ia presim biletën, dhe ky është vetëm fillimi i marshit tonë të lirisë. Këtë javë shpresojmë që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëjmë thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë. Të mos ndëshkojnë shqiptarët për Edi Ramën. Edhe pse është errësirë, Edi Rama të na shohë sa jemi.”
20:52-“Ne jemi armiq Edi Rama,” Berisha-kryeministrit nga protesta: Përsëri ia mbathe, gabim bëre!
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë fjalën në protestën që opozita po mban përballë kryeministrisë. Kreu i qeverisë ndodhet në Vlorë ndërsa po mbahet protesta dhe për këtë, lideri historik i demokratëve e akuzoi se “përsëri ia mbathi.”
Ndërsa i kujtoi se bëri shumë gabim që e blindoi kryeministrinë, Berisha i tha kundërshtarit të tij politik se sot ata të dy janë armiq. Armiq, pasi siç u shpreh kreu i PD, njëri pasuron veten duke varfëruar qytetarët dhe tjetri kërkon lirinë për shqiptarët.
“Jemi sot këtu në këtë shesh të lirisë. Të dashur bashkëatdhetarë, vëllezër e motra të ardhur nga mijëra kilometra larg për t’u bashkuar sot me frontin e shpëtimit të Shqipërisë. Zoti ju bekoftë ju…Bëheni sot një burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët. Ju erdhët në këtë bulevard sepse ju thirri ora e lirisë, ora e Shqipërisë. Shqipëria në rrezik ishte kushtrimi që ju ngriti në këmbë për ta shpëtuar atë. Sot pasardhësi i diktatorit ka vendosur monizimin e plotë. Përsëri ia mbathi, përsëri do t’ia mbathë. Në emrin tuaj do t’i them këto fjalë: Edi Rama ne të dy sot jemi armiq. Po pse jemi armiq? Zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Sepse ti, ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin. Kurse ne kemi për ideal vetëm lirinë. Ti pushtetin e don për të pasuruar veten, për të varfëruar qytetarët, për të poshtëruar qytetarët. Kurse, unë dhe qytetarët që janë këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’u kthyer dinjitetin.”
Sali Berisha e akuzoi kreun e qeverisë se po qëndron në pushtet me votën e blerë.
“Qëndron në pushtet me votën e blerë. Ti pushtetin e plotë monist e vendose duke u rrëmbyer votën shqiptarëve. Harrove se me këto akte ti ke shkelmuar idealet e të gjallëve dhe të vdekurve të këtij vendi. Ke shkelmuar ëndrrën e rinisë studentore që dolën në rrugë ballë për ballë me diktaturën.” /
20:42-Kryemadhi me flamurin kuq e zi në dorë: Rama kërkon ta çnderojë, të shpëtojmë Shqipërinë
Me flamurin kuq e zi në dorë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mbajti fjalimin e saj përpara protestuesve në bulevard.
Kryemadhi tha se atë flamur, Rama kërkon ta çnderojë me nismën “Open Balkan” dhe bëri thirrje që shqiptarët të mblidhen për të shpëtuar vendin. Kryetarja e LSI, u shpreh se kryeministri është vegël e grupeve anti-shqiptare. Ajo theksoi gjithashtu se opozita ka për detyrë të mos zhgënjejë qytetarët siç bëri një vit më parë.
“Ju sot më shumë se kurrë jeni ata që na jepni ne më shumë forcë për ta përballur këtë situatë. Edhe ju vënia si ata që ju prishen shtëpitë. Sot në këtë takim të jashtëzakonshëm, sot më shumë se kurrë japim mesazhin e fortë që i vetmi flamur partie është flamuri ynë shqiptar. Ky flamur i bukur që në fushën e tij ka gjakun e mijërave shqiptarëve. Ky flamur ka rëndësinë më të madhe sepse Edi Rama me Open Balkan kërkon ta çnderojë. Të valëvisim fort flamurin tonë, duke kthyer djemtë dhe vajzat që kanë ikur.
Ky bulevard është mbushur, po jep edhe njëherë shpresën Shqipërisë dhe shqiptarëve. Detyra e opozitës është që të mos zhgënjejmë shqiptarët siç i zhgënjyem një vit më parë. të mblidhemi për të shpëtuar Shqipërinë. Edi Rama është një vegël qorre e grupeve anti shqiptare. Siç shiti Kosovën, po shet edhe Shqipërinë. Shqipëria është be shqiptarëve dhe jo e politikanëve. Shqiptarët do të kërkojnë të qeverisen nga politikanë të mirë”, deklaroi Kryemadhi.
20:34-“Rama ik”, Këlliçi përpara protestuesve: Ta dëgjojë deri në Vlorë, ia ka mbathur sot
Me thirrjen “Rama ik” e ka nisur fjalën e tij, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në protestën që po zhvillohet përpara Kryeministrisë.
Përpara protestuesve, Këlliçi tha se kryeministri ia ka mbathur sot, duke e quajtur frikacak.
“Rama ik! Ta dëgjoj njëherë Rama deri në Vlorë. Ju vini në Tiranë ai ia mbath nga Tirana. Një frikacak që i fshihet të vërtetës.
Kjo bandë në krye të qeverisë është edhe pronarja e vërtetë e inceneratorëve”, tha Këlliçi.
“Kurrë mos thoni më ç’më duhet mua. Të gjithë bashkë të bashkohemi në sheshe”, shtoi deputeti.
Ndërkohë që Partia Demokratike ka thirrur protestë, kryeministri Edi Rama ndodhet aktualisht në Vlorë, ku do të marrëv pjesë në inaugurimin e Bypass-it të Vlorës.
19:25-Berisha del nga selia, u bashkohet protestuesve
Ish-kryeministrti Sali Berisha ka dalë nga selia e Partisë Demokratike. Protesta e thirrur prej tij ka nisur zyrtarisht.
Berisha i është bahskuar turmës së qytetarëve. Ai shoqërohet nga nënkryetari Luçiano Boçi dhe deputetë të tjerë të Partisë Demokratike.
Ish-kryeministri do t’u bashkohet qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.
“Shqipëria në rrezik: Mos thuaj ç’më duhet mua”, është slogani i protestës së sotme thirrur kundër qeverisë. Qëllimi i demokratëve sikurse e kanë deklaruar është largimi i Edi Ramës.
Ndërsa pak çaste na ndajnë nga nisja e protestës së opozitës, kryeministria duket se është blinduar nga forca të shumta policore. Nga pamjet e sjella nga terreni nga gazetarja Xhensila Kodra, një numër i madh automjetesh dhe efektivësh mund të shihen përgjatë gjithë perimetrit të kryeministrisë.
Ndërkohë në Bulevard ka nisur prej orësh tashmë grumbullimi i njerëzve.
Kujtojmë se blindimi i kryeministrisë ka nisur që ditën e djeshme kur u hoq edhe kërpudha që ndodhet në oborrin e godinës. Kryeministri vetë nuk ndodhet sot në Tiranë pasi aktualisht është në qytetin e Vlorës ku inaugurohet Bypassi.
18:47-“O Sali, o hero”, Berisha mbërrin në selinë blu, pritet me ovacione
Ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike Sali Berisha. Ish-kryeministri mbërriti në seli pak minuta para nisjes zyrtare të protestës së thirrur prej tij.
Në oborr ai është pritur me ovacione dhe thirrje të shumta nga qindra simpatizantë që janë grumbulluar për të nisur më pas marshimin drejt Kryeministrisë.
“Shqipëria në rrezik: Mos thuaj ç’më duhet mua”, është slogani i protestës së sotme thirrur kundër qeverisë. Qëllimi i demokratëve sikurse e kanë deklaruar është largimi i Edi Ramës.
17:50 –Pak nga nisja e protestës, Këlliçi thirrje qytetarëve të Tiranës: Historia ju thërret sërish
Teksa ka mbetur vetëm njëorë nga nisja e protestës së thirrur nga Partia Demokratike, deputeti Belind Këlliçi nga selia blu ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen sheshit. Këlliçi tha se historia e thërret sërish Tiranën të jetë në krye të punëve të Shqipërisë. Demokrati renditi një sërë arsyesh se përse tiransit duhet të dalin sot në protestë.
Deklarata e plotë:
Si pasardhës i një familje autoktone tironse,se dhe si djalë i lindur dhe rritur në këtë qytet, kam një thirrje për bashkëqytetarët e mi, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike.
Bashkohuni me protestën, me zërin e shqiptarëve nga të katër anët e vendit, për një Tiranë dhe Shqipëri më të mirë.
Tirana gjithmonë ka ditur të bëjë zgjedhjene saj, dhe u ka dhënë zgjidhje ngjarjeve në historinë e vendit.
Kujtoni dhjetorin 1990, kur punëtorët dhe inteligjencia e kryeqytetit u bënë bashkë me studentët e rretheve dhe rininë e bordurave.
Historia e thërret sërish Tiranën të jetë në krye të punëve të Shqipërisë.
Toleranca e saj nuk mund të merret për dobësi, qytetaria nuk duheë nënvlerësuar.
Tiransit duhet të dalin sot për inceneratorin që ka djegur miliona, por nuk nxjerr fije tymi.
Për koshat me ngjyra ambjentaliste, që nuk e kanë zgjidhur problemin e mbeturinave dhe metodat e vjetra të korrupsionit bashkiak.
Për trafikun që zgjatet çdo ditë dhe shkurton orët që do donit të kalonit me familjen.
Për qytetin e tyre, që dikur kishte kullën e Sahatit dhe sot ka një kullë me orë muri.
Nuk u bëj apel vetëm tiransëve autoktonë, por edhe të rinjve. Atyre që kanë ardhur në kryeqytet për një jetë më të mirë, më të drejtë, më cilësore.
E ndajmë bashkë të gjithë këtë qytet, jemi aksionerë në të dhe jo jabanxhinj në dyert e pesë oligarkëve, dhe po bashkë duhet të ngrihemi kundër rrënimit të tij.
Tirana është bërë streha juaj, jo vetëm për privilegert, por edhe detyrat. Një prej tyre është që fëmijëve t’u lini një qytet i cili t’i ngjajë qytetit të prindërve të tyre.
Të gjithë bashkë, para Kryeministrisë, për të ngritur zërin në veshin e qeverisë që ka nëntë vjet që nuk ju dëgjon.
17:38-Nga Kukësi në Berat, qytetarë e demokratë organizohen për protestën e opozitës në Tiranë
Protestës së Partisë Demokratike në orën 19.00 do t’i bashkohen një numër i madh qytetarësh dhe demokratësh nga Qarku i Kukësit.
Mësohet se, vetëm nga qyteti i Kukësit dhe zonat përreth janë nisur rreth 2000 anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë me autobus dhe makina private. Kurse, nga Hasi janë 800 demokratë që kanë udhëtuar me makinat e tyre në drejtim të Tiranës dhe afro 1,200 mbështetës, anëtarë dhe qytetarë janë nisur nga Tropoja për të protestuar në Tiranë.
Nga ana tjetër, nga qarku i Beratit janë nisur drejt Tiranës rreth 2300 demokratë e qytetarë. Kryetari i PD Berat, Shyqo Dura është shprehur se demokratët dhe qytetarët beratas do të protestojmë sot “kundër qeverisë së narko-shtetit.”
Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.
Protestuesit janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ku vetëm nga dega e PD-së Berat janë nisur 120 automjete të konfirmuara nga strukturat. Në rang qarku, drejt protestës në Tiranë janë nisur rreth 1350 protestues nga Berati,350 nga Kuçova,260 nga Dimali,220 nga Poliçani dhe 120 nga Skrapari.
Nga ana e degës së PD-së Berat konfirmohet se nisja drejt protestës së sotme në Tiranë u krye me mjete private (ndryshe nga herët e tjera) pasi pronarët e autobusëve janë vënë nën presion me penalitete të ndryshme deri në heqje licence nëse do të transportonin protestues drejt tubimit të thirrur sot në Tiranë nga PD-ja.
Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqo Dura, duke shpjeguar mënyrën e organizimit të demokratëve drejt protestës në Tiranë, ka theksuar se, përveç demokratëve dhe simpatizantëve të PD-së protestës do ti bashkohen edhe qindra qytetarë beratas që nuk kanë lidhje me partitë politike por që janë të indinjuar nga keq-qeverisja.
“Strukturat e degës së Partisë Demokratike Berat, grupseksionet, kryesia dhe sekretariatet janë organizuar për nisjen e demokratëve beratas drejt protestës së thirrur në Tiranë në orën 19:00. 120 automjete private janë nisur të organizuar nga drejtuesit e çdo rajoni, ndërkohë që me mjete private janë nisur nga Berati drejt protestës në Tiranë edhe qindra qytetarë beratas, të cilët të indinjuar nga keq-qeverisja i janë bashkuar sot opozitës. Ne demokratët dhe qytetarët beratas do të protestojmë sot kundër kësaj qeverie të narko-shtetit, me qëllimin e vetëm të largimit të saj nga pushteti,” tha Dura. /abcnews.al/


