Shumë prindër e dinë rëndësinë e lojërave për fëmijët, por për shkak të angazhimeve të shumta, nuk tregojnë kujdesin e duhur. Studimet kanë treguar se të luash është të mësosh. Fëmijët mësojnë duke luajtur. Prandaj rëndësia e lojërave në fëmijërinë e hershme nuk duhen neglizhuar.
Për këtë temë folën dhe psikologet Renisa Beqiri dhe Marsida Simo, në një intervistë që dhanë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”. Ata theksuan se lojërat janë vendimtare për zhvillimin e fëmijëve, e inteligjencës, përmirësimin e komunikimit si dhe nxitjen e mendimeve krijuese.
“Mënyra se si një fëmijë zgjedh të luajë, tregon shumë për atë që ndjen në ato momente, për tiparet e tij. Nëse kemi një fëmijë që pëlqen të luajë vetëm, të mos i ndajë lojërat me të tjerët, atëherë kuptojmë se ky fëmijë mund të jetë pak introvert, nuk ka dëshirë që të ndërveprojë me të tjerët.
Ne shikojmë se kjo është shenja e parë dhe nëpërmjet kësaj ndërhyjmë në varësi të shkallës. A janë të rëndësisshme lojërat për zhvillimin psiko-motor? Po. Inteligjenca e tyre emocionale zhvillohet nëpërmjet lojës, por dhe IQ, e cila është e lindur por mund dhe të përvetësohet përmes lojës.
Ne mund të kemi fëmijë të shëndetshëm, sa më shumë t’i përfshijmë në lojë, aq më të lumtur do të jenë dhe do të dinë të ndërveprojnë.”, tha Renisa. Ndërsa Simo theksoi se nëpërmjet lojërave nxitet kreativiteti dhe imagjinata e fëmijëve.
“E para duhet të jesh një prind spektator. Fëmija luan në mënyrë të pavarur por je aty, duke bërë një punë shtëpie. Është prindi që është aktiv, që luan bashkë me fëmijën, tregojnë për lojën dhe kuptojnë më shumë mes njëri-tjetrit. Nëse nuk i dedikon kohë fëmijës, nuk je bashkëveprues në art dhe në lojë.
Një prind që është neglizhues, është aty por nuk merret me të, kjo është vrasëse. Puna më fëmijët në vitet e para të jetës është output në vitet më vonë”, tha Renisa.
/abcnews.al